E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha nuk po dëgjon kambanat e alarmit të FMN-së. Vendi rrezikon një krizë më të rëndë se Greqia

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, tha sot se konkluzionet e FMN-së janë një këmbanë alarmi, që konfirmon dështimin ekonomik të qeverisjes. Konkluzionet e FMN konfirmojnë se menaxhimi korruptim i financave publike janë shkaku i parë i rënies ekonomike prej disa vitesh në Shqipëri. Ka dështuar politika ekonomike e qeverisë dhe këtë e konfirmon edhe FMN. Ka dështuar edhe politika fiskale, taksa e sheshtë jo vetëm që nuk ka ndihmuar biznesin dhe ekonominë, por ka rritur ndjeshëm pabarazinë e qytetarëve. Statistikat tregojnë se 4 përqind e shqiptarëve zotërojnë 55 përqind të depozitave financiare në vend. FMN konfirmon rënien e barazisë së jetesës për qytetarin e zakonshëm. Berisha u tall kur tha se paga mesatare është 520 dollarë, tha Ahmetaj.

Deputeti i PS u ndal edhe tek çështja e qeverisë së vogël e në dietë.

Në konkluzionet e FMN del se lavdërimi për qeveri në dietë kanë qenë mashtrime. Kjo është qeveri e fryrë artificialisht, e madje me qëllime elektorale. 70 në 100 lekë të mbledhura shkojnë për të mbajtur në jetë këtë qeveri, tha Ahmetaj.

Duke folur për çështjen e borxhit, Ahmetaj tha se vendi rrezikon një krizë më të rëndë se ajo greke. Konkluzionet e FMN kanë ngritur alarmin që ka ngritur me kohë opozita për nivelin e borxhit publik. E megjithatë në ditët e kaluara ne pamë një Sali Berishë që refuzon si në kohën e Sudes të marrë parasysh shqetësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ashtu si në vitin 1996, Sali Berisha vazhdon të mbyllë veshët e sytë përballë shqetësimeve të FMN e BB, tha Ahmetaj.

Sali Berisha po e shtyn vendin drejt një krize më të rëndë se ajo që po kalon sot Greqia, pasojat e të cilës nuk do i vuajë familja e Berishës, por qytetarët e thjeshtë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›