E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i të sëmurëve, 1 në 20 shqiptarë është diabetik

Prirja globale e rritjes së numrit të të sëmurëve nga diabeti ka prekur edhe vendin tonë. Shifrat më të fundit flasin për një numër në rritje të diabetikëve, sikurse po ndodh edhe me përhapjen e kësaj sëmundje të pakurueshme. Por edhe më tronditës është fakti se 1 në 20 shqiptarë janë diabetikë, por jo të gjithë janë në dijeni të sëmundjes. Mjeku endokrinolog në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Florion Toti, sqaron se diabeti ka një tendencë rritjeje në vendin tonë, për shkak të një mënyre jetese jo shumë të mirë dhe jo aktive. “Nëse në vitin 2005 kishim 30 mijë diabetikë, në vitin 2011 ka 45 mijë diabetikë të diagnostikuar”, - thotë mjeku endokrinolog Florion Toti. Por, nga depistimet e kryera 5 vitet e fundit, prevalenca e diabetit të padiagnostikuar ka qenë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë. Zhvillimet e fundit të shkencës kanë dhënë një shpresë për shërim për pacientët e sëmurë me diabet të tipit 2, të cilët përbëjnë 90% të rasteve të prekur nga diabeti. Sipas një studimi të bërë nga mjekë anglezë, në rreth 15 pacientë, ndaj të cilëve është aplikuar një dietë ditore me vetëm 600 kilokalori, ka rezultuar se janë shëruar 7 prej tyre. Por, megjithë këtë fakt, mjekët sërish janë skeptikë, pasi, sipas tyre, mbetet të provohet nëse pas disa muajsh këta pacientë do të shndërrohen sërish në diabetikë. Sipas Totit, pacientët duhet të kenë më shumë kujdes në përzgjedhjen e ushqimeve. “Mjekimi i parë është mënyra e jetesës, me pak yndyra, me sa më tepër zarzavate, karbohidrate. Mjekimi i dytë është aktiviteti fizik, ecje të paktën një orë në ditë dhe më pas vjen pjesa e medikamenteve”, - pohon mjeku endokrinolog. Sot në botë, numërohen 347 milionë të prekur nga sëmundja e diabetit, ndërsa ishte parashikuar që në vitin 2025 numri i të prekurve të ishte 330 milionë. Sipas statistikave, të sëmurët me diabet po dyfishohen në mbarë botën, duke shpërfillur kështu çdo parashikim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›