Berisha: Nuk do te bej kompromis per pushtetin
Eljona Ballhysa
Në një konferencë për shtyp në orët e mbrëmjes së djeshme, kryeministri Berisha bëri publike një dosje me leje ndërtimi të dhëna nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, që sipas tij janë dhënë në kundërshtim me ligjet e vendit. Por, gjatë fjalës së mbajtur për gati një orë, kryeministri i vendit nuk dha asnjë zgjidhje për krizën politike në vend. Madje qëndrimi i djeshëm i Berishës ishte në skajin më ekstrem të kërkesave të opozitës, duke thelluar akoma më tej krizën politike në vend. Berisha, ndërsa bëri të ditur se dosja me lejet e ndërtimit të firmosura nga kreu i Bashkisë së Tiranës do t’i dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme, shtoi se vendi nuk është në krizë politike. Sipas tij, në krizë është Partia Socialiste, që drejtohet nga kupola mafioze. Berisha ngarkoi me përgjegjësi Ramën në rast se protestat e PS-së përshkallëzohen dhe gjenerojnë dhunë. Ai tha se qëllimi i vetëm i Ramës është pasurimi i tij dhe i klanit të tij, dhe jo transparenca e zgjedhjeve. Duke e ndarë kryetarin e PS-së nga PS-ja ai ripërsëriti ftesën për deputetët socialistë që t’i japin fund bojkotit dhe të kthehen në Kuvend.
Akuzat
Gjatë fjalës së tij Berisha paraqiti dokumente të firmosura nga Rama dhe që kishin të bënin me vendimet e për leje ndërtimi në Tiranë. Ai citoi emrat e një sërë pronarësh të kompanive të ndërtimit në kryeqytet, duke i cilësuar ata pjesëtarë të kupolës mafioze. “Hapja e kutive dhe rinumërimi i votave është kërkesa e këtyre punisto-mafiozëve. Ata kërkojnë të bllokojnë me një donkishotizëm aventuresk rrugën tuaj drejt Europës, heqjen e vizave dhe procesin e integrimit. Ky grup udhëheq grupin më të keq të mafies në Ballkan. Këta kanë një hall të madh, se mos i rrëzohet perandoria e tyre e krimit dhe se i pret fati i Aldo Bares. Nuk kanë hallin e kutive këta. Jo, kanë hallin e ekonomisë së tyre të bazuar në krim. Këta persona, që përbëjnë kupolën mafioze, kanë marrë duke dhunuar ligje dhe prona 500 mijë m2 sipërfaqe ndërtimi, me një vlerë totale që shkon në 750 milionë euro”, - është shprehur Berisha.
Zgjedhjet
Përsa i përket zgjedhjeve të 28 qershorit, Berisha ripërsëriti edhe njëherë së këto, sipas tij, ishin zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri dhe se kanë marrë certifikimin e faktorit ndërkombëtar. “Votën tuaj të lirë e bekuan 20 mijë komisioinerë socialistë, të cilët me maturi të thellë demokratike firmosën çdo dokument të zgjedhjeve pa asnjë vërejtje. Ky ishte procesi më i bukur, më i qetë dhe më ligjor zgjedhor që vendi ka njohur në historinë e tij. Zgjedhjet janë certifikuar nga 510 vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët konkluduan se kupola punisto–mafioze nuk pati asnjë provë për manipulim”, - është shprehur Berisha, ndërsa garantoi se ky mandat qeverisës do të ketë si synim denoncimin e të gjitha klaneve mafioze në Shqipëri.
“E garantoj kupolën mafioze se darët e ligjit do të çmontojnë tërësisht perandorinë e tyre të krimit. Nuk ka dhe nuk do ketë asnjë lloj kompromisi për vendimet e gjykatave dhe ndarje pushteti, siç kërkon ai”, - është shprehur Berisha. Kreu i qeverisë ftoi opozitën të distancohet nga kupola drejtuese dhe të kthehet në Kuvend. “I ofroj opozitës bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë, por opozita është nën thundrën e kupolës mafioze. Opozita është e mirëpritur në Kuvend dhe të ngremë komision hetimor të vendimit të gjykatave. Nëse do të vazhdojnë protestat në rrugë, detyra ime është të garantoj qetësinë e tyre. Por e kam thënë dhe e them: nëse Rama përdor dhunën, nuk do të ketë përgjegjës tjetër përveç Edvin Ramës dhe përgjigjja do të jetë e merituar. Revolucioni dihet kur fillon, por s’dihet kur mbaron”, - është shprehur kreu i qeverisë.
3 Dhjetor 2009