Socialistët, në përfundim të afatit, kërkojnë zgjedhje të parakohshme
Eljona Ballhysa
Socialistët kanë kërkuar dje, në përfundim të afatit 10-ditor që kishin vendosur për arritjen e një kompromisi e qeverinë, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Anëtari i Kryesisë së selisë rozë, Namik Dokle, është shprehur dje gjatë një konference për shtyp se mungesa e transparencës nga ana e qeverisë nuk sjell gjë tjetër veçse e detyron PS-në që të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Partia Socialiste kishte vendosur një afat 10-ditor për qeverinë për të diskutuar kërkesat e tyre, që në thelb kishin hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave në disa qendra votimi ku dyshohet për manipulimin e rezultatit zgjedhor. Në përfundim të këtij afati nuk ka pasur asnjë përgjigje pozitive nga qeveria, madje e kundërta ka ndodhur. Drejtuesit më të lartë të qeverisë dhe ata të Partisë Demokratike, si kundërpërgjigje ndaj kërkesave të opozitës kanë ndërmarrë një fushatë sulmi dhe akuzash personale ndaj kreut të PS-së. Për këtë arsye, opozita ndryshon kërkesat e saj nga hapje e kutive të votimit dhe bërjen e transparencës së procesit zgjedhor, në kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Deklarata
“Sot është dita e fundit që opozita ka pritur reflektimin serioz të maxhorancës dhe kryeministrit të saj lidhur me kërkesat tona për hapjen e kutive dhe një sërë elementesh të tjerë që do të garantonin jo vetëm transparencën e procesit zgjedhor, por edhe vazhdimin normal të reformave integruese të Shqipërisë. Por, të paktën deri në këtë moment, kërkesat e qarta, demokratike, të drejta e të arsyeshme të opozitës, morën si përgjigje një gjuhë agresive dhe të çoroditur nga kryeministri, qeveritarët dhe orkestra e çakorduar parlamentare. Opozita kërkoi transparencën e plotë të procesit zgjedhor e ata u përgjigjën me kërcënime e shpifje. Opozita kërkoi hapjen e kutive ku numërimi i votave është bërë keq dhe shumë keq, ata u përgjigjën me arrogancë e shurdhëri”, - është shprehur Dokle. Ai shtoi se opozita kërkoi evidentimin dhe dënimin ligjor të shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor, ndërsa qeveria dhe përfaqësuesit e saj, sipas tij, tregojnë përralla për afatin e mandateve që na dha më shumë se gjysma e zgjedhësve shqiptarë. “Opozita kërkoi zgjidhje të krizës së demokracisë e të shtetit të së drejtës me dialog dhe mirëkuptim, ndërsa kryeministri kërcënon me skemat e skenarët e krizës së vitit 1997 për shtypjen, siç thoshte ai, “me zjarr dhe hekur” të protestave popullore, për ngrirjen e buzëqeshjes së opozitës, për shkuljen e dhëmbëve me gjithë nofulla e të tjera kërcënime e absurditete të nxjerra nga arkivi i ndryshkur stalinist”, - është shprehur Dokle.
Gjatë deklaratës së tij deputeti i PS-së theksoi se për sa kohë qeveria nuk reflekton në lidhje me kërkesat e opozitës, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Ne u themi kryeministrit dhe maxhorancës së tij që për sa kohë ka mundësi reflektimi dhe arsyetimi, të mbyllë poligonin enverist të luftës kundër opozitës. Gjuha e çoroditur dhe agresive as e tremb dhe as e shkurajon opozitën! Përkundrazi, i rrit edhe më shumë përgjegjësinë për fatet e vendit, i forcon vendosmërinë për të vazhduar qëndresën dhe protestat bashkë dhe në krye të të gjithë atyre shqiptarëve, këtu dhe në emigracion, të majtë apo të djathtë, për të cilët liria e votës është baza e çdo lirie, e drejta e votës është çelësi i integrimit real në shoqërinë e hapur dhe demokratike! Pa transparencë nuk ka zgjidhje, por zgjedhje”, - është shprehur Dokle.
3 Dhjetor 2009