Lionel Mesi fiton “Topin e artë”
Lionel Mesi është fituesi i “Topit të artë”. Revista prestigjioze franceze “France Football”, ajo që organizon edhe çmimin më të lakmueshëm për çdo lojtar, shkruan se asnjëherë më parë, një sportist të jetë zgjedhur thuajse në mënyrë plebishitare: 240 pikë më shumë për argjentinasin e Barcelonës, Lionen Mesi, se sa portugezi Cristiano Ronaldo, fituesin e vitit 2008.
REKORD, 474 PIKË
Me një unanimitet të plotë, 96 anëtarë të jurisë me të drejtë vote votuan për sulmuesin e Argjentinës, i cili grumbulloi 473 pikë nga 480 të mundshmet. Juria vlerësoi rolin e tij përcaktues në të gjitha sukseset e Barcelonës gjatë këtij viti: kampionatin spanjoll, Kupën e Mbretit, e sidomos Ligën e Kampioneve, në të cilën Mesi ishte dhe shënuesi më i mirë i kompeticionit, me 9 gola në 12 ndeshje.
GOLI ME KOKË
Gjatë finales së Ligës së Kampioneve kundër Manchester United, në Romë, të fituar 2-0 nga Barcelona, i mbiquajturi “xhuxhi” (El Enano), për shkak të problemeve të rritjes gjatë adoleshencës, Mesi shënoi një gol me kokë.
ARGJENTINASI I PARË
Edhe pse nuk u shpall “pichichi” (golashënuesi më i mirë) i Ligës spanjolle, Mesi shënoi megjithatë 23 gola, duke qenë realizuesi i dytë më i mirë i Barcelonës (në kampionat), pas Samuel Eto’o (30 realizime). Falë këtyre golave, por gjithashtu edhe shpërthimeve teknike, sllallomit të gjatë të driblimeve dhe kontrollit absolut të topit, ai është shfaqur si një lojtar i jashtëzakonshëm. Mesi është argjentinasin i parë, i cili shkruan emrin e tij në palmarin e “topit të artë”, që nga viti 1995, pasi më parë ai jepej vetëm për futbollistët europianë dhe jo për futbollistë nga kontinentet e tjera.
BRAZILIANËT
Futbollistët brazilianë kanë fituar pesë herë në 14 vjet, që nga viti 1995: Kaka në vitin 2007, Ronaldinhjo më vitin 2005, Rivaldo në vitin 1999, Ronaldo në vitin 1997 dhe 2002. Për herë të parë një argjentinas, “la pulga” (pleshti), futet në historinë e trofeut individual më prestigjioz të planetit të futbollit.
“Topi i artë” 2009, renditja
Lionel Mesi (473 pikë) është fituesi i “Topit të artë 2009”, trofe që jepet nga revista franceze “France Football”. Në vend të dytë doli Cristiano Ronaldo (233 pikë) dhe në vend të tretë, Xavi i Barcelonës (170 pikë). Ja dhe klasifikimi përfundimtar:
1. Lionel Mesi (Argjentinë, Barcelona) : 473 pikë
2. Kristiano Ronaldo (Portugali, Manchester United, më pas Real Madrid) : 233 pikë
3. Xavi (Spanjë, Barcelona) : 170 pikë
4. Andres Iniesta (Spanjë, Barcelona) : 149 pikë
5. Samuel Eto'o (Kamerun, Barcelona, me pas Inter) : 75 pikë
6. Kaka (Brazil, Milan, më pas Real Madrid) : 58 pikë
7. Zlatan Ibrahimovic (Suedi, Inter, më pas Barcelona) : 50 pikë
8. Uejni Runi (Angli, Manchester United): 35 pikë
9. Didier Drogba (Bregu i Fildishtë, Celsi): 33 pikë
10. Steven Xherard (Angli, Liverpul) : 32 pikë
11. Fernando Torres (Spanjë, Liverpul): 22 pikë
12. Cesc Fabregas (Spanjë, Arsenal) : 13 pikë
13. Edin Dzeko (Bosnjë, Volfsburg) : 12 pikë
14. Ryan Giggs (Uells, Manchester United) : 11 pikë
15. Thierry Henry (Francë, Barcelona) : 9 pikë
16. Luis Fabiano (Brazil, Sevilja): 8 pikë
Nemanja Vidic (Serbi, Manchester United): 8 pikë
Iker Casillas (Spanjë, Real Madrid): 8 pikë
19. Diego Forlan (Uruguai, Atletiko Madrid) : 7 pikë
20. Yoann Gorkuf (Francë, Bordo) : 6 pikë
21. Andrei Arshavine (Rusie, Arsenal): 5 pikë
Hulio Sezar (Brazil, Inter): 5 pikë
Frank Lampard (Angli, Celsi) : 5 pikë
24. Maikon (Brazil, Inter) : 4 pikë
25. Diego (Brazil, Verder Bremen, më pas Juventus) : 3 pikë
26. David Vija (Spanjë, Valencia): 2 pikë
John Terri (Angli, Celsi) : 2 pikë
28. Franck Ribery (France, Bajern Munih): 1 pikë
Yaya Touré (Bregu i Fildishtë, FC Barcelone) : 1 pikë
30. Karim Benzema (Francë, Lion, më pas Real Madrid): 0 pikë
Mesi: “Një nder i madh”
Lionel Mesi, fituesi i “Topit të artë 2009”, dha këtë intervistë për revistë franceze “France Football”, që organizon dhe trofeun, menjëherë pasi ai është njoftuar për çmimin.
Çfarë ndjeni ju pas lajmit se jeni zgjedhur si “Topi i artë 2009 i dhënë nga “France Football”?
Shumë emocione. Është për mua një nder të madh të zgjidhem “Topi i artë”, por dhe argjentinasi i parë në histori që merr këtë trofe.
A jeni i befasuar nga fitorja juaj?
Për të qenë i ndershëm, unë e dija që figuroja midis favoritëve, pasi Barça ka njohur një vit 2009 shumë të frytshëm ku ka fituar gjithçka. Por, nuk mendoja se do të fitoja me një diferencë të tillë pikësh (240 pikë më shumë së Kristiano Ronaldo). Ju e dini, “Topi i artë”, është diçka shumë e rëndësishme për mua. Të gjithë ata që e kanë fituar kanë qenë lojtarë të mëdhenj. Por dhe të tjerë të mëdhenj, nuk kanë mundur ta fitojnë kurrë atë.
Kujt ia dedikoni atë?
Familjes sime. Kanë qenë gjithmonë të pranishëm kur unë kam pasur nevojë për ta. Ishin pranë meje, dhe kanë ndjerë shpesh emocione më të forta se unë vetë. Është për ta.
Këtë vit, ju keni qenë i lumtur në klub, por më pak me përfaqësuesen argjentinase. A keni dyshuar për ndonjë moment se nuk do të merrnit pjesë në Kupën e Botës?
Jo, me të vërtetë jo. Unë kisha mjaft besim, edhe pse kemi njohur shumë vështirësitë gjatë eliminatoreve. Unë e dija që do të isha në Botëror.
Më e vështira nuk fillon veçse tani për ju, apo jo?
Sigurisht. Nuk është e thjeshtë të konfirmosh sërish një vit si ai që përjetuam. Unë shpresoj se edhe viti i ardhshëm do të jetë në të njëjtat rrugë. Por, të fitosh Topin e artë du vjet rresht, nuk është e lehte...
“Topi i artë”, historia përmes emrave
Emrat janë më të spikaturit e futbollit. Ata që të mahnisin me fantazinë e aftësitë e tyre të jashtëzakonshme. Ata që kanë lënë gjurmë të përjetshme në historinë jo vetëm të “Topit të artë”, por të vetë “topkëmbës”. Udhëtimi ia vlen. Lojtari i parë që fitoi i pari “Topin e artë” apo Futbollisti Europian i Vitit, ishte legjenda Stenli Methjus, në vitin 1956. Gazetarët u lejuan të votonin vetëm për lojtarët europianë në klubet evropiane, që do të thoshte se legjenda të tilla braziliane si Pele e Garinça, të cilët nuk mund të ishin të vlefshëm për te fituar. Metju, atëherë 41 vjeç, ishte një nga lojtarët më potent të Blekpullit e Anglisë, fitoi duke mposhtur konkurrencën me legjenda të tilla si sulmuesi i Realit të Madridit, Alfredo di Stefano dhe francezin Rajmond Kopa. Gjithsesi, Di Stefano triumfoi në vitin 1957 e 1959, dhe Kopa e ngriti trofeun në vitin 1958.
VITET ‘1960
Vitet ’60 panë dhjetë fitues të ndryshëm, duke përfshirë disa nga lojtarët më të mëdhenj në botë. Mesfushori çek Josef Masopust (1962) fitoi pasi udhëhoqi ekipin e tij në finalen e Kupës së Botës, ndërkohë që ish-sovjetiku Lev Jashin (1963), vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite, i vetmi portier që ka vendosur emrin e tij në këtë trofe. Hungarezi elegant Florian Albert dhe fantazisti me aftësi magjike, italiani Xhani Rivera triumfuan respektivisht në vitet 1967 dhe 1969. Sulmuesi portugez Eusebio fitoi në vitin 1965, pasi më parë kishte qeni i dyti në vitin 1962
VITET ‘1970
Edhe pse ekipet angleze shijuan suksese në Europë, lojtarët e tyre nuk arritën të fitonin trofe individualë në vitet 1970, i vetmi anglez fitues ishte Kevin Kigan, i cili fitoi dy herë në vitet 1978 e 1979, por pasi ai ishte larguar nga Liverpuli në drejtim të Hamburgut. Në këto vite dallohen dukshëm dy nga ikonat më të mëdha të futbollit evropian e botëror: holandezi i madh Johan Krujf, fitues në vitet 1971, 1973 e 1974, si dhe mjeshtri gjerman Franc Bekenbauer, i cili triumfoi në vitin 1972 dhe 1976. Një tjetër gjerman ishte i famshmi Gerd Myler, i cili fitoi në vitin 1970 falë 10 golave të tij në Kupën e Botës. Ukrainasi Oleg Bllohin, atëherë në radhët e Bashkimit Sovjetik fitoi në vitin 1975, ndërsa danezi Allan Simonsen fitoi në vitin 1977.
VITET ‘1980
Teksa dy legjendat e mëdha botërore, Diego Maradona e Ziko, nuk mund të zgjidheshin fitues për shkak të rregullave të atëhershme, futbollistë tjerë europiane mbresëlënës lanë gjurmët e tyre në historinë e “Topit të artë”. Karl-Heinc Rumenige fitoi Kampionatin Europian dhe “Topin e artë” në vitin 1980, përpara se ta fitonte sërish atë një vit më pas, 1981. Legjenda franceze Mishel Platini fitoi në vitin, 1984, 1983 dhe 1985. Sulmuesi holandez Marko van Basten fitoi në vitin 1988 e 1989, ndërkohë që Rud Gulit e kishte në vitin 1987.
VITET 1990
Lotar Mateus fitoi në vitin 1991, përpara se një vit më pas Marko van Basteni të kompletonte tripletën e tij në vitin 1992. Në vitin 1995 u vendos që të lejoheshin edhe futbollistë jo-europianë të fitonin, por me kushtin që ata të luanin për një klub evropian. Sulmuesi nga Liberia, George Ueah, i cili në atë kohë luante për Milanin, fitoi edhe “Topin e artë” në vitin 1995. Ronaldo u bë braziliani i parë që fitoi trofeun në vitin 1997 dhe patrioti Rivaldo e pasoi atë në vitin 1999. Francezi Zinedin Zidan ngriti trofeun në vitin 1998 pasi paraqitjes së jashtëzakonshme në Kupën e Botës, të po këtij viti.
VITET 2000
Luis Figo është fituesi i parë i viteve 2000. Portugezi fitoi pikërisht në këtë vit, para se Ronaldo ta fitonte “Topin e artë” për herë të dytë në vitin 2002. Mesfushori çek Pavel Nedved i Juventusit fitoi në vitin 2003, i pasuar nga ukrainasi i Milanit, Andrij Shevçenko (2004). Në 2005-ën, aftësitë e jashtëzakonshme të brazilianit Ronaldinjo i dhuruan trofeun e çmuar. Një vit më pas fitoi italiani Fabio Kanavaro (2006), një ndër mbrojtësit e pakët që e ka fituar atë, për t’u pasuar nga Kaka (2007). Kristiano Ronaldo e fitoi në vitin 2008 kur anësori portugez luante për Manchester United. Lionel Mesi, sulmuesi aktual i Barcelonës, është fituesi i fundit, ai i vitit 2009.
Dhjetë fituesit e fundit
2009 Lionel Mesi
2008 Kristiano Ronaldo
2007 Kaka
2006 Fabio Kanavaro
2005 Ronaldinjo
2004 Andrij Shevçenko
2003 Pavel Nedved
2002 Ronaldo
2001 Majkell Ouen
2000 Luis Figo
2 Dhjetor 2009