Ndoka i dërgon letër Papës: “Qeveria e Berishës nuk ka asnjë ministër katolik”
Partia Demokristiane, në prag të vizitës së Berishës në Selinë e Shenjtë, i ka dërguar kësaj selie një peticion duke e vënë në dijeni me qëndrimin e kreut të qeverisë shqiptare. Letra e PDK-së i është drejtuar sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarcisio Bretone. Në peticionin informues theksohet se Berisha ka ndjekur një strategji eliminuese ndaj Partisë Demokristiane dhe nëpërmjet aktit të vjedhjes së votës, kryeministri Berisha pengoi përfaqësimin e kësaj partie në Parlament në zgjedhjet e fundit politike që u mbajtën më 28 qershor të këtij viti. Në letër shkruhet se Berisha dhe partia që ai kryeson, gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur të njëjtën politikë përjashtuese dhe eliminuese ndaj demokristianëve shqiptarë, duke i krijuar probleme serioze përfaqësimit të komunitetit katolik dhe të filozofisë politike kristiane në skenën politike shqiptare. Në peticion përmendet edhe fakti se komuniteti katolik ishte komuniteti më i persekutuar nga regjimi komunist, sepse vlerësohej si ura më e fuqishme lidhëse midis Shqipërisë dhe kulturës së vlerave perëndimore. PDK-ja, në peticionin e saj e informon Selinë e Shenjtë se qeveria e zotit Berisha është e vetmja qeveri në Europë pa asnjë ministër të besimit katolik, ndërkohë që e njëjta politikë përjashtuese ndaj përfaqësuesve të komunitetit katolik është ndjekur edhe në institucionet e tjera kryesore të shtetit të kontrolluara prej Berishës, në kundërshtim me harmoninë dhe frymën bashkëpunuese që ka ekzistuar prej vitesh midis komuniteteve fetare në Shqipëri. Partia Demokristiane i kërkon Selisë së Shenjtë, nëpërmjet peticionit, që ta qartësojë kryeministrin Berisha se komuniteti katolik shqiptar nuk është një pakicë kombëtare, por është pjesa vitale e qëndrueshme e historisë dhe e identitetit perëndimor të shqiptarëve ndër shekuj.
Bushati: “Berisha nuk justifikon dot dështimin për vizat”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka reaguar dje ndaj deklaratës së Berishës, i cili e akuzoi atë dhe PS-në për lobim kundër liberalizimit të vizave. Bushati deklaroi se kryeministri Berisha po mundohet të justifikojë dështimin e tij në këtë proces nëpërmjet shpifjeve drejtuar PS-së. “Dje, Sali Berisha tentoi në mënyrë spekulative që dështimet e qeverisë së punëve të zeza në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave t’ia faturojë opozitës shqiptare dhe Bashkimit Europian, të cilat sipas tij, influencohen nga opozita. Në vend që t’i kërkonte ndjesë qytetarëve të vendit të tij, për faktin se shqiptarët nuk do të përfitojnë lëvizjen e lirë këtë fundviti si maqedonasit, serbët dhe malazezët, Berisha zgjodhi sërish armën e tij të preferuar, gjuhën e urrejtjes, shpifjet monstruoze, të cilat bota demokratike ku duam të integrohemi ka kohë që i shpërfill dhe i refuzon me përbuzje. Për fat të keq, Shqipëria ka mbetur në dorën e një njeriu që ka humbur arsyen bashkë me durimin”, - është shprehur Bushati. Ai shtoi se liberalizimi i vizave nuk është e nuk mund të jetë më një meritë e qeverisë që e la Shqipërinë të fundit, por një vullnet i BE-së për t’u dhënë edhe shqiptarëve lirinë e munguar të lëvizjes, pavarësisht papërgjegjshmërisë së qeverisë për të përmbushur në kohë kriteret. “Sali Berisha nuk e justifikon dot vonesën e tmerrshme në këtë proces me hapjen e pritshme të kufijve, ashtu sikundër nuk e mbyll dot debatin për kutitë duke përhapur kudo gënjeshtrat e tij për opozitën”, - është shprehur deputeti socialist.
3 Dhjetor 2009