E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta kërkon votë për emigrantët

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon të drejtën e emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e 2009-s. Lideri i LSI-së, zoti Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, z. Edmond Haxhinasto dhe sekretari për Emigracionin, z. Petrit Vargu, kanë zhvilluar një vizitë në Itali. Kreu i LSI-së, z. Meta, ka marrë pjesë në një numër takimesh me përfaqësues të LSI-së në qytetet kryesore të Italisë, me studentë shqiptarë në universitetet në Firence dhe në Bolonjë dhe ka qenë i ftuar në një koncert të madh festiv me emigrantë shqiptarë në Itali. Kthimi i Kushtetutës në gjendjen e mëparshme, që sanksiononte ndarjen e pushteteve dhe kontrollin e balancën e secilit prej tyre, është një prioritet i madh politik për LSI dhe Komitetin në Mbrojtje të Kushtetutës, u shpreh Meta, duke vlerësuar dhe punën e madhe të bërë nga dega e LSI-së në Itali për përgatitjen e një peticioni për të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë. Vetëm kur ju të keni të drejtën e votës në vendin ku jetoni, - tha Meta, - qeveritë në Shqipëri do të realizojnë detyrat e tyre për t’u përkujdesur ndaj jush. Sot mungon vullneti politik i mazhorancës për ta bërë këtë. LSI e ka kërkuar të drejtën e votës së emigrantëve në të gjithë propozimet e saj për sistemin zgjedhor. Sistemi i ri zgjedhor nuk e ka marrë parasysh as këtë kërkesë të LSI-së dhe nuk krijon hapësira që emigrantët të votojnë në vendet ku jetojnë, - është shprehur Meta. Në takimin me studentë shqiptarë në Firence dhe në Bolonja, zoti Meta iu përgjigj interesave të tyre të shumta në lidhje me situatën politike në vend, dhe e quajti investimin në arsim dhe në kapitalin njerëzor si një prioritet kryesor të çdo qeverie në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›