E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria do të përfitojë 4.5 milionë euro për reformën në drejtësi

Komisioni Evropian ka miratuar një shumë prej 4.5 milionë eurosh, që do të shkojë për programin “Euralius II”, i cili ka si synim të mbështesë Ministrinë shqiptare të Drejtësisë dhe institucionet e tjera për reformën e nisur të drejtësisë. Agjencia e Lajmeve të Bashkimit Evropian ka raportuar dje se ky fond do të shkojë në mbështetje të politikave reformuese për drejtësi në Shqipëri. Fondi prej 4.5 milionë eurosh do të përdoret për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve, eficencën e tyre, profesionalizmin, transparencën, në mënyrë që vendi të ketë një sistem drejtësie modern. Synimi i Bashkimit Evropian është që në Shqipëri të mbizotërojë një sistem i konsoliduar dhe ligjor. Gjatë një periudhe prej 30 muajsh të programit “Euralius II” në Shqipëri, vendi ka marrë një asistencë të zgjeruar për reformën në institucionet e drejtësisë. Njëkohësisht “Euralius II” është mandatuar nga Komisioni Evropian që të monitorojë të gjithë ecurinë e reformës në vend. “Rendi i ligjit është një detyrë shumë e rëndësishme për të marrë anëtarësinë në BE. Do të dëshiroja që të shprehja falënderimet për Austrinë dhe Gjermaninë për kontributin e tyre që kanë dhënë për misionin “Euralius II”. Asistenca e Bashkimit Evropian do të mbështesë vendin me të gjithë ekspertizën e duhur për reformën në Shqipëri”, - është shprehur përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›