Rama takohet me Mikalef: “Qeveria, presion ndaj autonomisë vendore”
Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës, Ian Mikalef, u takua dje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe me krerë të bashkive opozitare në vend. Pas takimit të zhvilluar në zyrën e kryebashkiakut Rama, në një dalje publike para mediave të pranishme, Rama tha se i kishte shprehur shqetësim përfaqësuesit ndërkombëtar për dhunimin e vazhdueshëm që po pëson pushteti lokal nga ana e qeverisë. “I shpreha Presidentit të Kongresit të Autoriteteve Lokale të gjitha shqetësimet tona. I bëra me dije, së bashku me kolegët e tjerë, kryetarë bashkish të opozitës, gjendjen alarmante të autonomisë vendore dhe presionin skandaloz të kësaj qeverie ndaj bashkive dhe komunave të opozitës në mënyrë të veçantë, por njëkohësisht edhe sjelljen tërësisht abuzive ndaj pushtetit vendor si dhe e njoftova për masat që ne po marrim në drejtim të një proteste të fortë dhe të gjatë, deri kur qeveria të kthehet në rrugën e respektimit të autonomisë vendore, të Kartës Europiane të Autonomisë, Kushtetutës dhe ligjit dhe të heqë dorë nga keqtrajtimi i njësive vendore të opozitës si dhe nga rruga pa krye që bie në kundërshtim me procesin e decentralizimit të shëndetshëm, për të gjitha njësitë vendore të vendit dhe për vendin në tërësi”, - tha Rama. Sipas opozitës, katër vitet e fundit kanë qenë të karakterizuara nga dhunimi i Kushtetutës, i Kartës së Autonomisë Lokale dhe dokumenteve kryesore të decentralizimit, të aprovuara në vitin 2000. Gjatë vitit 2006, Shqipëria u monitorua nga Këshilli i Europës, përsa i përket demokracisë lokale si dhe konflikteve të ndryshme midis qeverisë qendrore dhe asaj lokale, të krijuara pas formimit të qeverisë. Qeverisja lokale i ka kaluar për shqyrtim 4 çështje Gjykatës Kushtetuese, gjatë 4 viteve të fundit, përsa i përket konfliktit të kompetencave të krijuara mes qeverisë qendrore. Rastet i kanë dhënë të drejtë qeverisjes lokale, por radhë herë janë zbatuar nga qeverisja qendrore.
3 Nentor 2009