E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përpjekjet për ndërhyrje në Drejtësi, pengojnë integrimin në BE”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Në kuadrin e aspiratave të mëdha që Shqipëria ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, forcimi i shtetit të së drejtës dhe përmirësimi i veprimtarisë së sistemit të drejtësisë është, pa dyshim, një sfidë me rëndësi historike për ne”

Çdo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e Gjyqësorit dhe Prokurorisë, pengon drejtpërdrejt integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kjo deklaratë është bërë dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një interviste dhënë për të përditshmen kosovare, “Lajm”. I pyetur mbi pasojat që mund të shkaktojë ndërhyrja e politikës në punët e Gjyqësorit, respektivisht Prokurorisë, sidomos në procesin e ndriçimit të tragjedisë së Gërdecit, Topi tha se Shqipëria është një vend ku koncepti i vërtetë i drejtësisë dhe institucioneve të saj ka munguar për një kohë të gjatë. Sipas tij, ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike të qeverisjes, ndarjes së pushteteve dhe krijimit të një mentaliteti të ri në ushtrimin e pushtetit, është një përpjekje që kërkon kohë, energji dhe vullnet, kërkon maturi dhe largpamësi. Njëkohësisht Presidenti vlerësoi se institucionet legjitime të Kosovës po tregojnë kulturë shtetformuese. Sipas tij, kjo kulturë zhvlerëson reagimet e Serbisë pas shpalljes së pavarësisë.
Qëndrimi
“Në kuadrin e aspiratave të mëdha që Shqipëria ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, forcimi i shtetit të së drejtës dhe përmirësimi i veprimtarisë së sistemit të drejtësisë është, pa dyshim, një sfidë me rëndësi historike për ne”, - tha dje Topi. Ai theksoi se forcimi i një pushtetit gjyqësor të pavarur dhe i një sistemi drejtësie funksional është një sfidë e përbashkët e tre pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor, është një sfidë e aktorëve dhe faktorëve politikë dhe profesionalë, është një sfidë e të gjithëve. “Ajo që kërkohet, është që secili të realizojë dhe përmbushë detyrimet e tij, sa më mirë, në kohë dhe me korrektesë kushtetuese dhe ligjore. Ajo që kërkohet është që secili të respektojë ndarjen e pushteteve, të respektojë institucionet e shtetit ligjor, të respektojë pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ajo që kërkohet është garantimi i standardeve demokratike të dhënies së drejtësisë”, - ka pohuar Kreu i Shtetit. Sipas tij, shteti ligjor ndërtohet me vendosmëri për të respektuar Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e dhëna në emër të tyre. “Çdo përpjekje apo veprim tjetër, që vjen kundër kësaj filozofie të së drejtës, është cenim i parimeve të shtetit të së drejtës, është pengesë në rrugën e gjatë që Shqipëria ka përpara”, - ka theksuar Presidenti. Kreu i Shtetit ka komentuar më tej dhe zhvillimet politike në Kosovë. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është ngjarja historike dhe zhvillimi më i rëndësishëm politik i këtij fillim shekulli, si për shqiptarët ashtu edhe për rajonin tonë. “Aspirata e shqiptarëve për drejtësi, ndaj padrejtësisë historike u përmbush më 17 shkurt të këtij viti, duke respektuar vullnetin e lirë të një populli për t u shkëputur nga zgjedha politike, nga padrejtësia historike dhe nga pamundësia për zhvillim. Aspirata e tyre tashmë është një realitet i pakthyeshëm. Ajo, logjikshëm, po pasohet nga aspirata e tyre drejt euroatlantizmit, e cila kërkon kontribut serioz dhe angazhim të përgjegjshëm”, - ka pohuar Topi. Lidhur me integrimin e Shqipërisë në NATO, ai ka pohuar se Samiti i Bukureshtit dhe nënshkrimi i protokolleve të aderimit në Aleancë, më 9 korrik 2008, tregojnë se vendi ynë është në rrugë të mbarë. Për sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, Topi ka pohuar se me përmbylljen e ratifikimit të MSA-së nga të githa vendet anëtare, vendi ynë duhet të aplikojë për vend kandidat. Sipas tij, standardet e kërkuara nga Brukseli janë detyra shtëpie për vendin tonë. “Ato janë specifike për çdo vend, por parimet dhe synimet mbeten universale: ndërtimi i një shoqërie demokratike me një ekonomi tregu të qëndrueshme, me një shtet të së drejtës dhe me institucione që funksionojnë duke respektuar Kushtetutën, pavarësinë institucionale dhe ndarjen e pushteteve. A i kemi arritur ne këto standarde? Akoma jo. Duhet më shumë vendosmëri politike dhe transparencë ndaj përmbushjes së detyrimeve dhe standardeve”, - ka pohuar Topi. Kreu i Shtetit ka komentuar dhe rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë duke e konsideruar atë si arteri kombëtar dhe rajonal.
S.T
Ky lajm është publikuar: 07/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›