E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë kthen në punë gjyqtarët e Delijorgjit

Autori i Lajmit: red.
Tre gjyqtarët shpallën të pafajshëm Mihal Delijorgjin, administratorin e kompanisë ”Albademil”. Tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Durrës ishin larguar nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në korrik të vitit të shkuar. Ndërsa vendimi për rikthimin e tyre në punë është dhënë nga Gjykata e Lartë dje. Kolegji i Gjykatës së Lartë rrëzoi kështu vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke rikthyer në detyrë tre ish-gjyqtarët e shkarkuar në korrik 2008 për vendimin e dhënë prej tyre, ku Mihal Delijorgji fitonte pafajësinë ndaj akuzës së evazionit fiskal. Burime nga organi i gjyqësorit bëjnë të ditur se vendimi i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë është dhënë dje duke shfuqizuar KLD dhe duke i dhënë të drejtë tre gjyqtarëve të shkarkuar. Gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Ylli Minka, Naum Pejo dhe Shaqir Gradica u shkarkuan, muaj më parë, për abuzim me detyrën, me motivimin se kishin dhënë vendimin për të pandehurin kryesor të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjin, administratorin e firmës demontuese "Albademil", i paditur asokohe nga dogana e Durrësit për evazion si administrator i firmës “Përparimi” sh.a, ku i kishte shkaktuar shtetit shqiptar dëmin e 1,2 milion dollarëve me kontrabandën e hekurit.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›