E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk i hapa portat në nëntor, pasi tragjedia do ishte më e madheNga TemaKryeministri, Sali Berisha, që e zhvilloi mbledhjen e djeshme të qeverisë në Shkodër, tha se ai nuk kishte pranuar të hapte Fierzën në nëntor, pasi katastrofa do kishte q

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha: Nuk i hapa portat në nëntor, pasi tragjedia do ishte më e madheNga TemaKryeministri, Sali Berisha, që e zhvilloi mbledhjen e djeshme të qeverisë në Shkodër, tha se ai nuk kishte pranuar të hapte Fierzën në nëntor, pasi katastrofa do kishte qenë më e madhe. Berisha nuk ka dhënë një sqarim se pse do ishte më e madhe katastrofa, nëse do ishte shkarkuar gradualisht që në nëntor.
“Atyre, të cilët klithin se pse nuk u lëshua Fierza, dua t’u jap një përgjigje. Fierza u mbajt ditët e fundit të nëntorit, pikërisht sepse një përmbytje e menjëhershme mund të ishte katastrofale për jetët e njerëzve. Për ata që menaxhuan digat e portat, i menaxhuan me përkushtimin më të madh, i menaxhuan në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore, i menaxhuan duke bërë maksimumin për t’u përshtatur me kërkesat e tyre. Mos e rrisni më shumë se 50 metra kub, kërkonin ata në 20 minuta, se mos na bien digat”, - tha Berisha.
Kryeministri deklaroi më shumë se disa herë dje se mediet dhe opozita po mundohen t’i servirin Shkodrës trillime. Berisha tha se kishte mundësi që ta shiste energjinë shumë shtrenjtë, por nuk e ka bërë.
“Shkodra ka një shpirt të shpirt të pamposhtur dhe thelbi i shpirtit të saj qëndron në një raport të vetëm dhe kryesor të njeriut të qytetëruar dhe ky është raporti me të vërtetën. Ata që duan t’i servirin Shkodrës trillime dhe mashtrime, duhet ta dinë se qyteti ka një epitet për ta “sherr budall”. Ata që bëjnë “sherr budallën” duke i thënë Shkodrës se qeveria e rezervoi ujin për ta shitur me çmim më të shtrenjtë në janar, ata bëjnë vetëm sherr budallën, dhe këtë thonë ata, e bënte, sepse ERE rriti çmimin. Por tani unë do t’u tregoj të vërtetën qytetarëve të Shkodrës. ERE rriti çmimin nga 17 lekë të vjetra në 22 lekë të vjetra, në një kohë kur në çdo orë, në çdo ditë të tetorit, të nëntorit, të dhjetorit, qeveria dhe KESH mund ta shisnin energjinë me së paku 45 lekë deri në 50 lekë të vjetra, pra u them dhe njëherë, mos i servirni Shkodrës dokrra, se prej saj do të keni vetëm një përgjigje: “sherr budall”. As simitet e tyre nuk i ha Shkodra. I pamë një ditë që kishin mbushur një çantë me simite dhe i shpërndanin, por qytetarët nuk i merrnin”, - tha Berisha.
Ndërkohë, në daljen e djeshme, ministri i Energjitikës ishte jo pak krenar që kanë shitur energji dhe me çmim të mirë, ashtu siç pranon dhe Berisha se mund të shesin energji me dyfishin e çmimit në vendin tonë.
Kryeministri, që mezi siguroi paratë për të dhënë një shpërblim shumë modest për pensionistët, publikoi dje një sms të një pensionisti që e kishte dhënë të gjithë pensionin e tij për të ndihmuar zonat e përmbytura.
“Kam këtu me mijëra mesazhe që kam marrë. Sot kam zgjedhur të lexoj njërin prej tyre për ju zotërinj ministra dhe qytetarë të Shkodrës. Mesazhi është dërguar në datën 13 janar, në orën 12 45 minuta. Në këtë mesazh thuhet: “Zoti Sali, në Raiffeisen Bank, në ndihmë të familjeve të përmbytura dërgova 5 mijë lekë të reja, pensionin tim. Ju falënderoj për punën që po bëni në maksimum për përballimin e situatës. Me respekt Shaqo Merkaj, Ballsh.”
Shaqo me këtë gjest është një simbol i shkëlqyer i solidaritetit të madh, i kohezionit të madh, që ka shpërthyer në mbarë vendin nga kjo fatkeqësi. Ndaj dhe unë gjej rastin t’i falënderoj, por, nga ana tjetër, të theksoj se Shkodra dhe zonat e përmbytura kanë nevoja të mëdha”, - tha Berisha.

Berisha: Tani turizëm mbi Bunë

Kryeministri, pasi ka parë vërshimin e Bunës, ka deklaruar se ajo do të shërbejë për turizëm. “Sot unë isha në derdhje të Bunës. Një dalje e fuqishme kishte nisur thellimin, dalje e cila ka kapacitet 400 metra kub në orë. Tjetra do t’i bashkëngjitet shpejt. U takova me shumë përzemërsi me kapitenin, inxhinierët dhe punëtorët. U thashë se atyre se u ka takuar nderi të jenë pionierët e një projekti madhështor kombëtar, thellimit të Bunës dhe shndërrimit të saj në një lumë të lundrueshëm. Në shtator unë rashë dakord me kryeministrin e Malit të Zi, pasi kjo kërkon një marrëveshje midis dy qeverive. Sigurisht që ky thellim po bëhet me emergjencë, por zoti Olldashi është e domosdoshme që në kohën më të shpejtë të shpallet tenderi ndërkombëtar për thellimin e Bunës dhe shndërrimin e saj në një lumë të lundrueshëm, siç ka qenë një shekull më parë, vepër kjo që nga njëra anë do të mbrojë Shkodrën nga moti i papërshtatshëm, por nga ana tjetër do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura, nga brigjet e Malit të Zi, Ulqinit, Tivarit, Budva e më tutje . Ura është me hapje dhe fatmirësisht që ajo u projektua e tillë. Ura tjetër që do të ndërtohet për të lidhur Shëngjinin me Ulqinin edhe ajo do të jetë me hapje, por dua të garantoj qytetaret e Shkodrës se thellimi i Bunës, sistemimi i saj do të jetë një nga projektet më të bukura dhe më mahnitëse të vendit”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›