Nisin hetimet për përmbytjenNga Tema Pas dy javë përmbytjesh në ultësirën veriperëndimore, organi i akuzës ka ndërmarrë dje hapin e parë për hetimin e kësaj ngjarjeje. Edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka nisur verifi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nisin hetimet për përmbytjenNga Tema
Pas dy javë përmbytjesh në ultësirën veriperëndimore, organi i akuzës ka ndërmarrë dje hapin e parë për hetimin e kësaj ngjarjeje. Edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka nisur verifikimin e dokumentacionit që disponon Korporata Elektroenergjitike Shqiptare rreth situatës së krijuar nga përmbytjet në ultësirën veriperëndimore, veçanërisht në qarkun e Shkodrës. Burime pranë organit të akuzës thanë se, prokuroria e këtij rrethi është vënë në lëvizje për të verifikuar dokumentacionin e KESH, që lidhet me vendimet për hapjen e portave apo dhe dokumentacionin që ka të bëjë me zbatimin e rregullores së digave. Vendimi i verifikimit të këtyre dokumentacioneve ka ardhur pas shkarkimeve të pandërprera nga digat e hidrocentraleve në Fierzë, që sollën në një masë të madhe përmbytjet në zonën e nën-Shkodrës. Por, pavarësisht se kanë nisur veprimet e para për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, që sipas shumë ekspertëve është përgjegjësi e drejtuesve të KESH dhe Ministrisë së Energjitikës, burime pranë kësaj prokurorie bëjnë të ditur se procesi është në fazën e verifikimit të dokumentacionit dhe jo të hetimit. “Konkretisht po verifikohet dokumentacioni që ka të bëjë me rregulloren e hapjes së portave të shkarkimit, kohën kur janë hapur këto porta dhe niveli, në të cilin ndodhej kaskada e Drinit, në momentin kur është vendosur shkarkimi. Verifikimi i dokumentacionit do t’i krijonte një ide më të qartë prokurorisë për të kuptuar nëse ka pasur vonesa apo jo në vendimin për hapjen e portave të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”, - bënë me dije burime pranë organit të akuzës në rrethin e Shkodrës.
Sipas këtyre burimeve, nëse do të konstatohet se ka pasur shkelje në dokumentacion dhe shkelje për sa i përket zbatimit të rregullores së digave, atëherë organi i akuzës do të kishte të drejtën të niste hetimet rreth përmbytjeve masive në zonën e Shkodrës.
Edhe pse Prokuroria e Shkodrës ka ndërmarrë veprimet e para për këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka pranuar që të shprehet zyrtarisht lidhur me këto veprime. Gjatë ditëve të fundit opozita ka kërkuar me insistim nisjen e hetimeve nga ana e organit të akuzës për përmbytjet e ndodhura në ultësirën veriperëndimore, pasi, sipas saj, përmbytjet kanë ndodhur për shkak të shkeljeve flagrante të kryera nga ana e Ministrisë së Energjitikës dhe KESH. Por, pavarësisht insistimit të opozitës për nisjen e hetimeve, prokuroria ka qenë pasive, duke mos ndërmarrë asnjë veprim hetimor për situatën e krijuar në veriperëndim të vendit.