Nis punë KQZ e re, palët shprehen se nuk do bllokojnë njëra-tjetrën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh dje për herë të parë pas miratimit të kandidaturave nga Kuvendi.
Gjatë kësaj mbledhjeje u bë dhe zgjedhja e nënkryetarit të KQZ, që i takon partisë më të madhe të opozitës. Me votë të fshehtë në këtë detyrë u zgjodh Dëshira Subashi. Tashmë, sipas ligjit të ri, çdo vendim do të kalojë dhe përmes firmës së saj. Palët kanë shprehur bindjen gjatë fjalëve të tyre se nuk do të ketë bllokim.
“Ka nisur një proces konsensusi që u shpreh me ndryshimet kushtetuese dhe me hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, konsensus, i cili vazhdoi edhe me zgjedhjen e anëtarëve të KQZ. Shpresoj shumë që ky konsensus të na shoqërojë gjatë gjithë procedurës për organizimin e zgjedhjeve, në mënyrë që t'ia dalim me sukses deri në fund”, - tha kryetari i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani.
Ndërsa nënkryetarja Subashi tha se, nëse ligji zbatohet, nuk do ketë probleme. “Ligji i zbatuar drejt nuk krijon bllokime, por ato mund të krijohen vetëm nga moszbatimi i ligjit”, - u shpreh Subashi.
“Gjatë këtij mandati, KQZ do t'i japë fund njëherë e mirë kontestimeve ndaj zbatimit të ligjit dhe vendimeve të KQZ”, - vijoi më tej ajo.
Por KQZ ka shprehur shqetësim dhe për afatet kohore deri në zgjedhje, duke garantuar se do bëjnë më të mirën.
“Na ndajnë vetëm 5 muaj nga data e zgjedhjeve dhe sigurisht që jemi në limitet e kohës, por do të gjejmë forcat dhe mundësitë që faktorin ‘kohë’ ta kthejmë në shërbimin tonë. KQZ ka një mision të përcaktuar, të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të plotësojë dëshirën e çdo shqiptari për këtë qëllim”.
“Nga ky moment do të fokusohemi në përgatitjen e zgjedhjeve, një sfidë e re, pasi kemi në fuqi një Kod të ri Zgjedhor, me një sistem të ri elektoral që zbatohet për herë të parë në vendin tonë”, - tha kryetari i KQZ, Ristani. “Nga ana tjetër, shpresoj se procesi i pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit dhe pasaportat do të shkojë mirë dhe do të jetë ndihmë në perspektivën e zgjedhjeve, po ashtu edhe të dhënat që dalin nga regjistri kombëtar i gjendjes civile për të hartuar listat e sakta të zgjedhësve”, - vijoi më tej ai.