E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha raporton te Flamuri për takimin me Hillary Clinton

Nga Antena brenda familjes

Kryeministri Berisha takoi dje Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton. Pas takimit ishte i emocionuar dhe pasi bëri disa deklarata për shtyp, i duhej të njoftonte menjëherë Tiranën. Nuk dinte me kë të ndante gëzimin për takimin, veç Flamurit. E mori menjëherë.

- Flamur, ç’ka ndonjë gjë të re? - pyeti doktori.

- Asgjë, qetësi, - i tha Flamuri. - Vetëm ajo puna e Fatmira Mediut.

- Urdhëro? - tha doktori. - ǒka bërë Fatmir Mediu?

- Jo Fatmiri, Fatmira, - tha Flamuri. - E kanë kapur në një hotel me prostituta këtu në Tiranë dhe ajo sekserja e kishte emrin Fatmira Mediu.

- Shiko Flamur, mos ka gënjyer për emrin, se duan me njollosë Fatmirin, duan me na prishë vizitën këtu.

- Atë hetova dhe unë, - tha Flamuri, - po ashtu e ka. Madje e paska kushëri Fatmirin.

- Ashtu, mirë. Po flas me të një herë. Nejse. Ne këtej kalum shkëlqyer. Takova zonjën Klinton. Zonjë e vërtetë. Flamur, nuk më kërkoi asgjë. Asnjë shqetësim, asnjë problem. Vetëm të ishe aty. Ishim tremb kot. Na kan gënjy ata të ambasadës në Tiranë. Na kritikojnë për ligjin e dosjeve. Asnjë fjalë nuk tha. “Madje, - tha, - nuk kemi ndërmend fare t’u japim sugjerime”. Jo, e kanë praktikë Flamur. Nuk japin sugjerime. Nuk japin kurrë. E dija këtë, por m’u konfirmua. Ato që thotë ambasadori në Tiranë, janë kot. S’kanë asnjë sugjerim. Vetëm më thanë, do respektosh vendimet e drejtësisë. I thashë i respektojmë vazhdimisht. Përmendi dikush aty se pse nuk e respektoni vendimin për gazetën “TemA”. I thashë po e respektojmë. Nuk i kemi prekur asgjë nga investimet e tyre. Aty ku i kanë bërë, aty i kanë. U kënaq shumë Flamur. Pastaj te ligji për dosjet. Më tha: “Do respektosh vendimet e Gjykatës”. I thashë, patjetër. I kemi respektu gjithmonë…

- Si, i ke premtuar se do të respektosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të atyre që kanë konflikt interesi…?

- Flamur, duhet me i respektu. Unë s’kam thënë kurrë që nuk do t’i respektojmë. Ka thënë Aldo Bumçi, ka thënë Bogdani, ka thënë Patozi, por ata kanë mendimet e tyre. Unë vetë s’kam thënë. Jo unë i respektoj vendimet e gjykatave. Të gjitha i respektoj. I kam respektu gjithmonë.

- D.m.th., po e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese ligjin, ne do ta respektojmë…?

- Flamur, unë nuk e di ç’do bëni ju, se ju jeni të pavarur. Unë them për vete. I kam premtu që do ta respektoj. I kam respektu gjithmonë vendimet e gjykatave. U kënaq shumë Flamur, kur i thashë që do ta respektojmë. Pashë atë ndihmësin e saj që u çel në fytyrë. “Po të jetë kështu, - tha, - s’ka problem.” Jo, s’ka problem. E di unë. Po të respektosh vendimin, s’ka problem.

- Po nëse na e hedh poshtë Gjykata, kot bëmë gjithë atë luftë…

- Flamur, lufta duhej, por vendimet duhen respektue. I thashë do respektojmë çdo vendim gjykate, dhe për Gërdecin, dhe për proceset e tjera. Interesant, ishte e informuar. Më pyeti për Fatmirin dhe Lulzimin. Më tha: “A do t’i kandidosh?” I thashë se është në dorë të tyre të marrin vendimet për veten e tyre. Unë do respektoj vendimet e gjykatave. U gëzu shumë, Flamur. S’e ke idenë sa u gëzua. Folëm për presidentin Obama. I thashë, më pëlqeu shumë fjalimi. Dhe u bashkova me shqetsimin e tij për Afganistanin. I thashë, nëse doni trupa, ne dërgojmë të tjerë. Kemi plot. U gëzu shumë. “Na dërgoni, - tha. - Presidenti Obama nuk do t’ua harrojë kurrë këtë nder.” Kalova shumë mirë Flamur. Kur dolëm, më tha: “Ishte takim shumë i mirë.” Interesant, kështu më pat thënë dhe atëherë më 1995 Klintoni, kur isha në Shtëpi të Bardhë. Por pas asaj u acarua situata. Po kjo duket ndryshe. Punon më me kujdes. Se e di ti. Para meje takuan Jozefinën, kur erdhi këtu. E takoi një zyrtar i ulët. I dha gjithë mesazhet për mua. I tha për ligjin e dosjeve, për vendimin e gjykatës për gazetën “TemA”, për të gjitha. Unë isha i përgatitur. Dhe aty s’më kërkuan gjë. Unë ua sugjeroja, unë ua thosha do respektojmë vendimet e gjykatave, do çojmë trupa në Afganistan. Ata vetëm miratonin. Kalum shumë mirë.

- Sa mirë, - tha Flamuri. - Më jep pak Fatmirin ta përshëndes.

Doktori i kaloi Fatmirin.

- Ku je mor burrë, - i tha Flamuri, - se të kanë arrestu një kushërirë këtu në Tiranë.

- Ou, po, më tha doktori. E di kush është? Është njeri i mirë. I njoh unë ata çunat e hotelit. Janë alamet djemsh. Janë djem të gjendur. Dhe këtë gruan e njoh. Jo, s’ka problem. Janë njerëz të mirë. Ja fusin kot këta të policisë o burrë. Se ç’punë kanë që kontrollojnë hotelet. Shkojnë njerëzit për qejf të tyre, përfundojnë në polici. Se kjo s’bën vaki në asnjë vend në botë. Të kontrollosh hotelet në mes të ditës dhe të burgosësh kë gjen brenda. Pale kur thonë i gjetëm dhe 3 milionë lekë në xhep. Po të më kapin mua në hotel, mund të kem 3 mijë euro në xhep. Pse nga kurvat i kam marrë? Është skandal kjo. Duhet ndryshuar. Këtej kaluam mirë. Doktori pati takim të mirë. Dhe unë. Isha më Dagun. Ua di anën unë këtyre. U bëj pak qejfin. Shkova dhe nga ai dyqani bleva ca rroba. Ka ardhë një miku im, do na çojë në aeroport nesër, se do nisemi. Do të të blej ndonjë gjë?

- Jo, jo, tha Flamuri, mirë ardhsh!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›