Berisha: Nuk kam pasur kundërshtar më komod se Rama
Kryeministri Sali Berisha vijon turin e falënderimeve dhe përurimeve pas 28 qershorit në rrethin e Kurbinit, ku përuroi unazën e qytetit të Laçit dhe fillimin e punimeve në segmentin e dytë të rrugë Laç–Patok. Kreu i ekzekutivit tha se nga zgjedhjet e 28 qershorit kanë fituar të gjithë shqiptarët, por shtoi se i vetmi humbës ka qenë pikërisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. “Garantoj gjithë qytetarët e mbarë Kurbinit dhe të gjithë Shqipërisë, se 28 qershori nuk kishte qytetarë të humbur, se projektet tona janë të vlefshme për çdo qytetar shqiptar. Por 28 qershori kishte një humbës të madh, humbi Edi Rama dhe nastradinizmi i tij. Ai i parashtroi shqiptarëve doktrinën e mashtrimit”, u shpreh kreu i Qeverisë. Por megjithëse ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë në garën e brendshme në PS, kreu i maxhorancës tha se Rama është kundërshtari më komod që ai ka pasur. “Shqiptarët e hodhën atë, aty ku meritonte, në koshin e humbjes. Prapë nuk nxjerr mësim. “Jo - thotë, - do të vazhdoj mandatin se nuk kam humbur”. Gënjen veten tënde zoti Edi, se prapë do të humbasësh, prapë do të humbasësh e prapë do të humbasësh. Do të kalosh nga 28 qershori në 28 qershor, nga Ballagati në Ballagat. Absolutisht je i pashpresë dhe nuk kam kundërshtar më komod se ty”, vijoi më tej Berisha. Duke iu drejtuar Ramës ai tha: “Do të qëndrosh, qëndro sa të duash! Ne do të vazhdojmë me veprat tona. Edhe një herë ju përshëndes dhe ju garantoj se Qeveria do të financojë çdo projekt për këtë qytet dhe për ju qytetarët e mrekullueshëm të Kurbinit”. Berisha premtoi në të njëjtën kohë se Qeveria do të mbështesë projektet e rrethit të Kurbinit, teksa shtoi se në këto katër vite vëmendja do të përqendrohet te fermerët lidhur me skemën e vaditjes.