Nuk raportoi për kanabis, pranga kryetarit të komunës
PERMET/ PIRO NASE
Mungesa e një raporti nga terreni për ekzistencën e parcelave me kanabis, ka rezultuar fatale për kreun e Komunës Fra-shër në Përmet. Tomorr Kotorri është prangosur mesditën e djeshme gjatë aksionit të befasishëm të ndërmarrë nga Policia e Gjirokastrës, i pagëzuar me emrin “Era e Jugut”. Së bashku me kreun e Komunës Frashër, është prangosur edhe kryeplaku i fshatit Miçan, Faslli Canka. Ky i fundit, ndryshe nga Kotorri, të cilit iu vendosën prangat se nuk kishte raportuar në bazë të ligjit “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i cili e detyronte të jepte informacion për kultivim të bimëve narkotike në territorin e komunës që ai mbulon, është arrestuar në flagrancë në parcelat me drogë. Burimet policore raportojnë nga vendngjarja se operacioni kishte filluar pasditen e së enjtes dhe u finalizua mesditën e djeshme me arrestimin e dy personave të zgjedhur nga komuniteti i zonës. Forcat e Policisë së Përmetit, të ndihmuara edhe nga uniformat blu të Gjirokastrës, ndërhynë në një zonë të gjerë për të verifikuar në vend çfarë ishte raportuar në konspiracion të plotë nga terreni për ekzistencën e parcelave në zonën e Frashërit. Aksioni ka rezultuar i suksesshëm në fshatin Miçan, pasi aty u konstatuan edhe parcelat me hashash të cilat ndodheshin në afërsi të banesave. Pasi kanë parë në largësi parcelat, policia është afruar dhe ka konstatuar se në 14 të tilla kishin qenë të kultivuara 1114 rrënjë kanabis. Çdo parcelë kishte nga 40-300 rrënjë kanabis, me një lartësi që varionte nga 100-400 cm. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, bimët narkotike janë asgjësuar në vend me anë të djegies. Kreu i komunës Tomorr Kotorri, 47 vjeç, kishte dijeni për rrezikun që i kanosej nga ligji për mosraportim të situatës në zonën e tij, madje sipas Policisë së Qarkut, ai ishte informuar më 11 korrik të këtij viti me një shkresë që të verifikonte nga afër gjendjen në terren dhe të raportonte në rast konstatimi. Mungesa e një informacioni të detajuar, qoftë dhe jo i tillë, e ka penalizuar Kotorrin, i zgjedhur në krye të komunës më 17 shkurt të 2007 si përfaqësues i PS-së. Mbi 47-vjeçarin rëndojnë dy vepra penale, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzim krimi. Ndërsa mbi kryeplakun e fshatit Mican, Faslli Canka, 67 vjeç, përveçse të njëjtës vepër penale si Kotorri, moskallëzim krimi rëndon edhe ajo e kultivimit të bimëve narkotike. Burime tepër të sigurta nga Policia e Gjirokastrës kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama” se krerët e komunave problematike kanë raportuar në polici duke “larë” duart nga përgjegjësitë e mundshme penale në dëm të tyre. Me sasinë e djeshme, numri i rrënjëve narkotike të sekuestruara nga Policia e Gjirokastrës gjatë kësaj periudhe shkon në 4500.