Ish-pronarët: Nuk ka zgjidhje me konfiskime, të anulohet ligji 7501
Shoqata “Pronësi me Drejtësi” e sheh me skepticizëm nismën e Qeverisë për krijimin e ligjit të ri për dhënien e tokave me qira. Nënkryetari i kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi deklaroi për “Panorama” se nisma e Qeverisë vjen si rezultat i mënyrës se si është vepruar me ligjin 7501 “Për tokën”. Pikërisht ish-pronarët ia venë fajin atij ligji, të cilin e kanë kontestuar prej kohësh dhe që i ka penalizuar ata në procesin e njohjes së pronësisë. “Kjo situatë vjen pasi është dhuruar nga mënyra se si është zbatuar ligji 7501, për shkak të këtyre veprimeve ndër vite. Qeveria detyrohet të rregullojë gabimet e saj, pasi ky ligj i tillë e shkatërroi tokën bujqësore në Shqipëri dhe solli mos punimin e saj”, u shpreh Vorpsi. Përfaqësuesi i shtresës së ish-pronarëve e sheh edhe të pazbatueshëm një ligj të tillë, për shkak të numrit të madh të parcelave, që janë në vend me ndarjen e tokës mbi bazën e ligjit 7501. “Në bazë të shifrave, rezulton se tokë bujqësore janë gjithsej 560 mijë hektarë, ku 10 për qind, të paktën deklarohet se nuk punohet. Por me ndarjen e kësaj tokave, mbi bazën e të dhënave mund të kemi 2.5 milionë parcela toka të regjistruara në zyrat kadastrave. Nga kjo pikëpamje kjo do të jetë e vështirë që të realizohet një gjë e tillë, pasi mungon infrastruktura e nevojshme, rrugët ndarëse gjë që e bën të pamundur dhënies e saj me qira. Kjo mendoj mund të çojë në dështimin e projektit”, deklaroi Vorpsi. Ndërsa ish-pronarët ndajnë bindjen se gjysma e tokës ka mbetur e papunuar për shkak të mungesës së teknologjisë së nevojshme, ku vetëm 10% e saj punohet me makina bujqësore, pjesa tjetër me kafshë apo me dorë. Ndërsa në lidhje me çështjen e pronësisë, përfaqësuesi i shoqatës theksoi se “jemi për mbrojtjen e saj, edhe pse ne jemi prekur 100 herë nga kjo çështje”.