Berisha: “Nuk mund të presin t’i ‘thahet uji’ BE-së, do të aplikojmë për statusin e kandidatit
Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur dje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, se qeveria shqiptare do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE brenda presidencës çeke. Duke replikuar në distancë me ministrin e Jashtëm të Çekisë, pjesëtar i Trojkës së BE-së, i cili gjatë takimit me ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme Lulzim Basha tha se BE-së i është “mbushur shtëpia me ujë”, duke nënkuptuar krizën ekonomike në të cilën është përfshirën kontinenti, Berisha tha se qeveria shqiptare nuk do të presë gjatë për të aplikuar.
“Presidenca çeke shpresoj të krijojë këshillin, por natyrisht Shqipëria tani i ka të gjitha rrugët e hapura që brenda presidencës çeke të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit. Se mund të shtyhet sa të thahet uji, është normale. Ne i mirëkuptojmë miqtë, por brenda presidencës çeke do ta paraqesim aplikimin dhe e meritojmë plotësisht për faktin se përfundoi tërësisht Marrëveshja edhe raporti i Komisionit Europian është i tillë që jep dritën jeshile tërësisht për Shqipërinë, ndaj dhe u ndala më shumë sot në këtë moment, sepse edhe ky është një moment historik, është një hap jashtëzakonisht i madh në drejtim të realizimit të projektit tjetër madhor të kombit për këtë shekull; anëtarësimi i Shqipërisë në BE”, - është shprehur kryeministri Berisha. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se aplikimi i vendit në BE nuk është i rastësishëm, por ka ardhur si rezultat i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria që ai drejton. “Kemi hyrë në një stad të ri, shumë më të rëndësishëm kontraktual dhe politik në marrëdhëniet tona me Bashkimin Europian. Periudha qershor 2006 - prill 2009 është kompletimi më i suksesshëm i këtij procesi dhe këtë e bën të mundur para së gjithash shembja e murit të krimit të organizuar në Shqipëri dhe shndërrimi i Shqipërisë në një vend ndër më të sigurtët në Europë. Këtë e bën të mundur shembja e sistemit të kleptokracisë në Shqipëri dhe shpallja e qeverisë shqiptare kampione e reformave në luftën kundër korrupsionit. Këtë e bënë të mundur reformat e thella dhe të gjithanshme”, - është shprehur Berisha.
3 Mars 2009