Veliaj solidarizohet me grevën e para dhe tetraplegjikëve të Shqipërisë
Kreu i G99-s, Erion Veliaj, vizitoi dje paradite rreth 20 të sëmurë para dhe tetraplegjikë, të cilët kanë deklaruar se do të hyjnë në grevë urie si rezultat i braktisjes nga ana e shtetit dhe si rezultat i mosplotësimit të kërkesave të tyre. Gjatë këtij takimi, Veliaj u njoh me katër kërkesat kryesore të këtij grupimi dhe shprehu solidaritetin e tyre në emër të Partisë G99. Grevistët kanë kërkuar nga qeveria shqiptare rritjen e paketës higjieno-sanitarë nga 12 000 lekë në 30 000 lekë në muaj, njohjen e siguracionit të shoqëruesit, rritjen e përkujdesjes në masën e rrogës minimale dhe rritjen e përfitimit të karburantit në masën 80 l/muaj. Pas takimit që zhvilloi me ta Veliaj tha se ndihej pa fjalë pas dëshmive që dëgjoi nga grevistët. Ai tha se “kur një shtet nuk kujdeset për më të dobëtit e vet, imagjino se sa mund të kujdeset për të tjerët. Shqipëria e rritjes ekonomike dyshifrore apo e rrugës 1 miliard euro duhet të ketë të paktën disa qindarka për njerëz të tillë në nevojë. Është shumë e rëndësishme që të paktën deri në ditën e zgjedhjeve të kemi një solidaritet me njëri-tjetrin. Shqipëria e rritjes ekonomike dyshifrore apo e rrugës 1 miliard euro duhet të ketë të paktën disa qindarka për njerëz të tillë në nevojë”, - tha Veliaj.
3 Mars 2009