E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk synojmë të cenojmë forcat politike

• Kryeministri Sali Berisha, tha dje gjatë një konference për shtyp se, ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor lidhur me sistemin zgjedhor nuk kanë asnjë qëllim për të cënuar asnjë prej forcave politike në vend.

Duke folur para mediave për të përshëndetur fitoren e Silvio Berluskonit në Itali, kreu i qeverisë tha se, reformat synojnë vetëm integrimin e vendit në BE dhe NATO. “Reforma e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor nuk synon cenimin e interesit të asnjë force politike, në të kundërt synon një hap tjetër të madh përpara drejt projekteve madhore të këtij vendi dhe këtij kombi, integrimit”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha nuk preferoi të komentojë më gjatë takimin e djeshëm me aleatët e djathtë, ku u diskutua për çështjen e reformës zgjedhore. “Meqenëse kjo është një çështje thelbësore sepse reforma e Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor përbën një zhvillim madhor për interesin e vendit, sigurisht këto po diskutohen me të gjithë faktorët politikë”, tha Kryeministri Berisha. Ndërkohë gjatë pasdites së djeshme, në Kryeministri u zhvilluan dhe bisedimet mes ekspertëve të qeverisë, të përfaqësuar nga këshilltari i Kryeministrit Oerd Bylykbashi, si dhe ekspertët e partive politike, ndërmjet të cilëve, Vilma Premti e PBDNJ-së, Arjan Madhi i PR-së dhe Petrit Gjoni i PAA-së. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, ekspertja e PBDNJ-së, Premti tha se në këtë takim është diskutuar vetëm për mënyrën e numërimit të votave të partive të vogla si, dhe janë marrë shembuj konkretë për çdo rast duke iu referuar sistemit proporcional rajonal. Anëtarja e kryesisë së PBDNJ-së, konfirmoi gjithashtu se në këtë takim të parë nuk është diskutuar për listat e deputetëve, teksa shtoi se gjatë ditës së sotme pritet t’u dërgohet të gjithë ekspertëve të partive aleate një material ndihmës nga ana e këshilltarit të Kryeministrit. Ky takim mes ekspertëve vjen një ditë pas takimit në nivel kryetarësh të thirrur nga kryeministri Berisha. në këtë takim aleatët kanë kërkuar shpjegime nga Kryeministri, për mënyrën se si do të ballafaqohen ata në garën e ardhshme elektorale, ndërkohë që nuk kanë munguar as debatet mes krerëve të partive dhe Kryeministrit Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›