E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari që ishte pas autobusit: Ja si ndodhi aksidenti

Share

Arben Zotaj nga Tepelena ka qenë me makinën e tij direkt pas autobusit të aksidentit. Ai thotë për Panorama se e ka ndjekur autobusin për rreth 20 minuta, për shkak se nuk parakalonte dot. Më pas ka parë aksidentin dhe ka ndihmuar të nxirren katër vajza nga ai ferr.

Pra ju thoni se keni qenë makina e parë pas autobusit deri në momentin që ra? Sa metra larg tij ishit?

Mund të them 2-3 metra larg. Madje i kërkova të parakaloja dhe nuk më hapi rrugën se po vinte një makinë tjetër përballë. Pastaj për 10 minuta të tjera rruga ka qenë e drejtë. Unë e njoh mirë këtë rrugë, të gënjen, prandaj nuk kërkova të parakaloja më se kishte kthesa më poshtë.

A po ecte shpejt autobusi gjatë rrugës që e kishit përpara?

Gjatë gjithë kohës që isha pas tij, autobusi ishte me shpejtësi normale për rrugën, aq sa edhe unë, rreth 40 km në orë. Pak minuta përpara se të binte, pashë që shoferi e shtoi shpejtësinë. Rruga ishte dishezë në këtë pjesë dhe kishte kthesa më pas. Nuk di ta them me saktësi, por të paktën 300-400 metra e pashë që po ecte më shpejt se më parë. Rreth 50-60 km në orë.

E patë momentin e rënies. Si ndodhi?

Po ecte shpejt siç ju thashë. Pastaj papritur i ra bordurës në të majtë dy herë rresht, nga ana e murit. Siç duket, pas përplasjes së parë është përpjekur të mbajë frenat. Kjo përplasje nuk ishte shumë e fortë. Mendova se mund ta manovronte mjetin dhe të vazhdonte të ruante drejtimin. Por autobusi e goditi sërish bordurën. Pas kësaj frenoi gozhdë, ishte frenim i fuqishëm. Pastaj fluturoi në ajër i tëri nga ana tjetër. U rrokullis dy herë.

Ra i gjithi përnjëherë?

Ra i tëri. U anua nga ana ballore dhe ra menjëherë. Nuk pati ndalesë apo ngecje. Pas dy përplasjeve në bordurë dhe frenimit, fluturoi në ajër. Ndalova makinën menjëherë. Nuk u besoja syve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›