Berisha konfirmohet fitues, do formojë qeverinë e re

Qeveria është treguar shembullore në respektimin e procesit të numërimit të votave, duke mos rënë pre e provokimeve dhe situatave bllokuese që krijoi PS-ja gjatë gjithë ditës, pasi kuptoi se përfundimisht ishte humbëse. Berisha triumfon në të gjitha qarqet e veriut dhe në Durrës, ka epërsi në Tiranë, ndërkohë që mundi të bllokonte PS-në në bastionet e saj tradicionale, Berat, Fier e Vlorë. Në mesnatë, PD konfirmoi marrjen e 72 mandateve, duke fituar pa surprizë të drejtën e formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re
Partia Demokratike fiton zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për Kuvendin e ri të Shqipërisë, me 72 deputetë nga 140 vende në sallën e kuvendit. Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Ndryshim”, udhëhoqën bindshëm rezultatin e zgjedhjeve të së dielës edhe pas më shumë se tre ditëve numërimi rutine, shpallet fituese e tyre, duke triumfuar me rezultat të thellë në 5 qarqe.
Rezultati paraprak i konfirmuar mbrëmë në mesnatë nga KQZ, konfirmoi Partinë Demokratike dhe koalicionin “Aleanca për Ndryshim”, si fituese të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Koalicioni i djathtë i mazhorancës aktuale, Aleanca e Ndryshimit ka ngjitje duke kapur 72 mandate, përkundrejt Bashkimit për Ndryshim me në krye Partinë Socialiste që ka tani 64 mandate deputetësh. Sakaq, Aleanca Socialiste për Integrim që kryesohet nga LSI e Ilir Metës, rezulton me katër mandate deputetësh. Në përqindje, Aleanca e Ndryshimit ka 47 për qind dhe Bashkimi për Ndryshim, 45.61 për qind.
Kurse Aleanca Socialiste për Integrim numëron sërish 5.6 për qind dhe Poli i Lirisë, 1.81 për qind.
Pas tre ditësh numërimi intensive të kutive të votimit, me epërsi të ndjeshme rezultoi fituese Partia Demokratike me 69 deputetë, ndërsa në koalicion janë edhe mandatet e PDI, PR, përkatësisht, 2 deputetë dhe 1 deputet.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ngelet në caqet e 63 deputetëve, ndërsa në koalicion, PS dhe koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”, marrin 64 deputetë. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, rezulton se Partia Demokratike ka siguruar 72 vende në parlamentin e ardhshëm me 140 deputetë.
Ndërkohë PS ka 63 mandate deputetësh, duke shënuar rënie të njëpasnjëshme në krahasim me rezultatet e mëhershme. Bazuar në këto shifra të publikuara mbrëmë në mesnatë, rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim ka siguruar katër deputetë dhe PDI e çamëve, dy deputetë.
Një deputet rezulton që ka marrë PR, dhe një deputet ka PBDNJ.
Partia Demokratike mbrojti rezultatin edhe në qarqet e njohura si bastione të së majtës si në Berat e Fier, ku megjithëse nuk arriti të marrë numrin fitues të mandateve, nuk i dha mundësi Partisë Socialiste që të merrte mandatet fituese, apo të ndihmonte partitë e koalicionit të saj. Gjithashtu, PD ruajti rezultatin e barabartë në qarkun e Elbasanit dhe Korçës, ndërkohë që triumfoi thellë në 5 qarqe të tjera si në Durrës, Lezhë, Dibër, Kukës dhe Shkodër, duke marrë mbi 55 për qind të votave dhe numrin më të madh të mandateve për deputetë.
Selia blu, pritet të konfirmojë hapjen e negociatave me aleatët e saj, për formimin e qeverisë re.
Kësisoj, Partia Demokratike do të vazhdojë edhe për katër vitet e ardhshme, vitet e ndryshimit të Shqipërisë, për të realizuar projektin madhor të kombit, Shqipërinë në BE. PD mori besimin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve, për të vazhduar rrugën e reformave, realizimit të veprave kolosale infrastrukturore, lëvizjen e lirë, integrimi në BE, arsimi i standardeve evropiane, rritja e pagave e mbi të gjitha punësimi, në katër vitet e ardhshme, do të bëhen një ëndërr e realizuar për të gjithë të rinjtë shqiptarë kudo që ata ndodhen, duke realizuar perspektivën e anëtarësimit me të drejta të plota në familjen Europiane.
Rezultatet si parti
PD 69 deputetë
PS 64 deputetë
LSI 4 deputetë
PDI 2 deputetë
PBDNJ 1 deputet
PR 1 deputet
Shifrat sipas KQZ-së
“Aleanca e Ndryshimit”, në avantazh të ndjeshëm ndaj koalicionit kundërshtar
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli konfirmoi se nga të dhënat e 12 qarqeve të vendit rezulton se është në avantazh koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” me 47.53 për qind të votave.
Duke informuar mbi ecurinë e përgjithshme të rezultateve zgjedhore të koalicioneve në 12 qarqet e vendit, Olli theksoi se nga të dhënat e marra deri në orët e vona të mbrëmjes Aleanca e Ndryshimit rezulton të ketë marrë 47.53 për qind të votave, Aleanca Poli i Lirisë 1.82 për qind të votave, Aleanca Socialiste për Integrim 5.59 për qind të votave dhe Bashkimi për Ndryshim 45. 69 për qind të votave”.
Zëdhënësi i KQZ-së vuri në dukje se votat e marra nga kandidati i pavarur, Abdulla Omuri por edhe nga Partia Ligj dhe Drejtësi janë në shifra shumë të ulëta.
Ai informoi se ka përfunduar numërimi i votave në 4 019 qendra votimi në mbarë vendin nga 4753 qendra votimi që janë gjithsej në total.
Në rang qarqesh, Olli konfirmoi se numërimi i votave ka përfunduar 86 për qind në Qarkun e Korçës, 98 për qind në Qarkun e Gjirokastrës, 80 për qind në Qarkun e Fierit, 97 për qind në Qarkun e Elbasanit, 82 për qind në Qarkun e Tiranës, 78 për qind në Qarkun e Durrësit, 82 për qind në Qarkun e Shkodrës, 79 për qind në Qarkun e Dibrës, 77 për qind në Qarkun e Lezhës, 99 për qind në Berat dhe 85 për qind në Qarkun e Durrësit.
Gjithashtu, Olli informoi se kanë përfunduar procedurat e numërimit të votave në VNV-të respektive të 30 KZAZ-ve në të gjithë vendin.
...