E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: OK me Ramën për imunitetin

Kufizimi i imunitetit të deputetit për rastet e korrupsionit, duket se është vetëm çështje kohe.

ADI SHKEMBI

Kryeministri Berisha është shprehur dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se ai dhe kreu i opozitës kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kufizimin e imunitetit të deputetit. Sipas Berishës, vendi ndodhet para një momenti shumë madhor për jetën politike dhe për standardet demokratike. "Siç e keni marrë vesh në dy deklarata publike nga ana ime dhe e zotit Rama, është rënë dakord që të shembet muri i imunitetit. Mendoj se kjo përbën njërin nga zhvillimet më madhore dhe më të rëndësishme të 17 viteve të fundit dhe, ndoshta pas ujdisë për sistemin e ri elektoral, ky konsensus përbën të dytin zhvillim më madhor në reformat e këtij vendi dhe e konsideroj këtë dëshmi të një maturimi real të sistemit tonë demokratik", u shpreh Kryeministri Berisha. Më tej, sipas kreut të qeverisë, "kjo gatishmëri përbën një dëshmi të një besimi te sistemi ynë demokratik, dëshmi e një vullneti të qartë publik për të vendosur përveçse në aspektin politik, për vendosjen e barazisë para ligjit të Kryeministrit, ministrit, deputetit dhe gjykatësit shqiptar me qytetarin shqiptar. Barazia para ligjit përbën njërin nga dy-tre parimet më themelore të kushtetutave dhe shoqërive demokratike të vendeve demokratike". Në këtë kontekst, Kryeministri tha se kishte një rëndësi të jashtëzakonshme që opozita kryesore shprehu dakordësinë e saj, ndërkohë që për këtë çështje është shprehur një muaj më parë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. "Me këtë reformë jo vetëm vendosim barazinë para ligjit, por me këtë reformë realisht ne heqim një pengesë të tmerrshme që qëndronte para gjyqësorit shqiptar, për të mbushur misionin dhe funksionin e tij, sikurse edhe vetë ata zhvishen nga imuniteti, për të cilin ata nuk kanë nevojë", nënvizoi Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, ligji për kufizimin e imunitetit mund të ishte miratuar edhe kohë më parë, kur Komisioni i Venecias kërkoi vetëm arritjen e numrit 84 të votave për miratimin e ligjit, duke mos përcaktuar mënyrën se si do të bëheshin këto vota. Berisha tha se maxhoranca mund të kishte gjetur që atëherë 84 vota, por qëllimi i saj ishte që këtë reformë ta bënte me opozitën. "Reforma të tilla mund të ishin dashur t'i kishim bërë më parë, mund të ishim përpjekur të mblidhnim 84 vota, por gjëja më e madhe është kur ajo bëhet me ujdinë e të dy palëve, kur pozita dhe opozita dëshmojnë se parimet e mëdha i kanë të njëjta dhe dinë t`u japin atyre përparësi ndaj të gjitha kundërshtive që kanë me njëra-tjetrën", u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›