E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Finalja” e madhe luhet në “Selman Stërmasi”

Ndeshja Dinamo-Partizani, e programuar për t’u luajtur më 17 maj dhe që sipas të gjitha gjasave do të përcaktojë skuadrën kampione, do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Këtë e ka konfirmuar përgjegjësi i sektorit të garave, Ilir Shulku, i cili ka thënë se Federata nuk ka asnjë të drejtë të ushtrojë presion mbi Dinamon për të ndryshuar stadiumin. Drejtuesit dhe tifozët e Partizanit kanë shpresuar që ndeshja të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, pasi aty ka më tepër vende për tifozët dhe duke qenë se fansat e kuq dominojnë në numër, kjo mund të përbënte një avantazh të konsiderueshëm për skuadrën e Hasan Likës. “Mirë do të ishte që ndeshja të luhej në stadiumin “Qemal Stafa”, pasi ka shumë mundësi që ky takim të jetë si një finale e vërtetë – ka thënë Shulku. – Megjithatë, ne nuk e detyrojmë dot Dinamon që të ndryshojnë stadium, pasi bëhet fjalë për një ndeshje normale kampionati dhe jo për një ndeshje të veçantë. Dinamo me të drejtë thotë se ka një kontratë me stadiumin “Selman Stërmasi” dhe është e detyruar ta respektojë atë. Përveç kësaj, drejtuesit e Dinamos na shpjeguan se skuadra e tyre të gjitha ndeshjet si ekip pritës i ka zhvilluar në “Selman Stërmasi”, s’ka pse të ndryshojë vend në ndeshjen më vendimtare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›