E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-OSBE/ODHIR-it: Mirëpresim sa më shumë vëzhgues për zgjedhjet

Autori i Lajmit: red.
Qeveria shqiptare ka kërkuar që OSBE/ODHIR të dërgojë në qershor misionin më të madh monitorues në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Kërkesa u bë nga kryeministri Sali Berisha ndaj delegacionit që do të monitorojë parapërgatitjen elektorale dhe situatën politike në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë që zyrtarisht ajo do ti niset ODHIR brenda javës që vjen. Kreu i Qeverisë gjatë takimit të zhvilluar dhe me përfaqësuesit e ODHIR-it u angazhua të realizojë standardet në zgjedhje duke i quajtur ato të rëndësishme në sytë e ndërkombëtarëve. Ai theksoi se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë shumë të rëndësishme në lidhje me arritjen plotësisht të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe çdo përpjekje do të bëhet në këtë drejtim. Shefi i Misionit të Vlerësimit të Nevojave, Gerald Miçell falënderoi për mbështetjen e marrë për këtë mision, dhe për rolin e ODIHR-it në përgjithësi në procesin zgjedhor. Më tej Berisha shprehu kënaqësinë për miratimin me konsensus shumë të gjerë të ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, veçanërisht të sistemit të ri zgjedhor që eliminon përfundimisht fenomenin negativ të “Dushkut”. Gjithashtu ai përshëndeti aprovimin konsensual të KQZ-së së re, me të cilën së shpejti do nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të përgatitjeve të infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në pajisjen për herë të parë të shtetasve me letërnjoftime elektronike, modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave, në bashkëpunim me projektin e Prezencë së OSBE-së në Shqipëri, arritje të cilat përmirësojnë rrënjësisht standardet e zgjedhjeve. Kryeministri vuri në dukje se procesi aktual i hartimit të listave vazhdon me sukses dhe pa ankesa, në dallim të fortë me të shkuarën kur listat e zgjedhësve, dhe jo alternativat politike, përbënin objekt polemikash. Takimi u mbyll me shprehjen e vullnetit të mëtejshëm për bashkëpunim. Po dje Misionin Parapërgatitor të ODIHR-it zhvilloi një takim dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Ministri shqiptar theksoi edhe një herë përkushtimin e plotë të qeverisë Shqiptare për zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente dhe përsëriti në emër të qeverisë shqiptare ftesën që ODIHR të dërgojë misionin më të madh vëzhgues që ka monitoruar ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›