E Diel, 1 Nëntor 2026

Turku betohet te Topi, Pollo: Procesi u vonua

Autori i Lajmit: red.
Ministri i ri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku është betuar dje para Presidentit të Republikës. Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Brigadave mungonin përfaqësuesit e Qeverisë ndërkohë që ishin të pranishëm deputetët e Elbasanit, Dashnor Sula dhe Aurel Bylykbashi, prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, shkrimtari i njohur Fatos Kongoli dhe artisti Alfons Balliçi, si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit, Turku bëri betimin përpara Presidentit, Bamir Topi, i cili, duke i dorëzuar dekretin ministrit të ri i shprehu atij urimet më të mira për të përmbushur me sukses detyrën e lartë. Pas betimit te Topi zëvendëskryeministri Genc Pollo ka bërë prezantimin e tij në ministri. Pas ceremonisë Pollo deklaroi se kohëzgjatja e tepërt e procesit deri sa ministri mori efektivisht detyrën përbën një anomali që duhet korrigjuar. “Është e pakuptimtë që një ministër që është caktuar në detyrë me datë 5 mars, të ulet në tavolinën e tij vetëm me 17 mars. Kjo rrjedh nga deformimet që i janë bërë sistemit kushtetues para 7–8 vjetësh dhe lipset që aktorët politikë të shqyrtojnë legjislacionin për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›