E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH, shitet te çekët për 102 milionë euro

Autori i Lajmit: red.
Qeveria shqiptare ka nënshkruar dje me kompaninë çeke “CEZ” kontratën për shitjen e Operatorit të Sistemit të ShpËrndarjes së energjisë.
Ishte kjo kompani që fitoi pak muaj më parë i tenderin për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së. Pas nënshkrimit të kontratës, në një konferencë për shtyp, Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli garantoi se çmimi i energjisë do të mbetet i pandryshuar për qytetarët.
Banka Botërore
Sipas BB, IFC ka këshilluar qeverinë në ndarjen e kompanisë, ristrukturimin e transaksionit dhe në mbarëvajtjen dhe realizimin e një procesi tenderimi të hapur, transparent dhe konkurrues. Në tetor 2008, ČEZ u zgjodh si kompania fituese e tenderit. Pas konsultimeve të mëtejshme, ky vendim u konfirmua nga Qeveria. Vlera e kontratës është 102 milionë euro. "Privatizimi i OSSH-së është një shembull konkret se si mund të realizohet një transaksion i komplikuar në mënyrë profesionale nga një qeveri e angazhuar dhe se si mund të tërhiqen investitorë seriozë, megjithëse po jetojmë në një periudhe të krizës financiare globale", thuhet në njoftimin e BB-së. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, tha se "jemi të sigurt që ČEZ do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, duke përmbushur në këtë mënyrë kërkesat e klientëve". Sipas tij, "zgjedhja e ČEZ-it dhe procesi i tenderimit u zhvillua bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në këtë drejtim, ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin tonë me IFC-në". Nga ana e tij, Vladimír Schmalz, Drejtor në ČEZ, theksoi se "grupi CEZ ka një eksperiencë të gjatë dhe të madhe në ristrukturimin e kompanive të shpërndarjes në Republikën Çeke, Bullgari dhe Rumani. Ne jemi shumë të kënaqur që të ofrojmë këtë përvojë në të mirë të sektorit shqiptar të shpërndarjes të energjisë elektrike". Ndërsa Shahbaz Mavaddat, Drejtori për Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore në IFC, nënvizoi se "privatizimi i OSSH-së është rezultat i përpjekjeve këshillimore për të siguruar një proces të drejtë, të hapur dhe transparent, duke u mbështetur edhe në bashkëpunimin e mëparshëm konstruktiv që kemi patur me Qeverinë shqiptare. Realizimi i kontratës me ČEZ është një tregues shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit si dhe rritjen e mirëqenies të shqiptarëve".Qeveria shqiptare dhe IFC-ja kanë punuar së bashku në përmirësimin e infrastrukturës së vendit që nga viti 2006, duke filluar me përgatitjen dhe aprovimin e ligjit të ri të koncesionit. Më pas, IFC-ja ka këshilluar qeverinë për dhënien me koncesion të Hidrocentralit të Ashtës, i pari në rajon që ndoqi praktikat më të mira për një proces tenderimi të hapur konkurrues, duke trajtuar me kujdes çështjet sociale dhe mjedisore. Zyra e BB bën të ditur se, shërbimi këshillimor në infrastrukturë i IFC-së në Evropën Juglindore është pjesë e programit të përbashkët financuar nga qeveritë e Austrisë, Italisë, Holandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara.
Kush është kompania ČEZ
ČEZ është një ndër kompanitë energjetike, që udhëheq në Evropën Qendrore, me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14 300 MË. Grupi ČEZ renditet ndër dhjetë kompanitë energjetike më të mëdha në Evropë. Përveçse në Republikën Çeke, Grupi ČEZ operon në më shumë së dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore. IFC është pjesë e Grupit të Bankës Botërore, që ndihmon në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe ul varfërinë, i cili synon një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në vendet në zhvillim, duke mbështetur sektorin privat, mobilizuar kapitale private dhe duke ofruar shërbime këshillimore dhe shërbime për zvogëlimin e riskut për bizneset dhe qeveritë.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›