E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Opozita ka frikë nga vota e saj – Reformat, në interes të qytetarëve”

30-09-2011 / Gazeta 55

Kryeministri rinovon apelin për votimin e nismave ligjvënëse me shumicë të cilësuar, por veçon sjelljen e papranueshme të opozitës, e cila refuzon marrjen e përgjegjësive, duke u rreshtuar tek forcat politike që si aksion të tyrin kanë bllokimin e aspiratës integruese të vendit

Kryeministri Sali Berisha ftoi dje opozitën të ndryshojë qëndrim ndaj ligjeve me shumicë të cilësuar, pasi falë ecurisë së miratimit të reformave, varet interesi i qytetarëve dhe integrimi evropian i vendit. Në interpelancën e kërkuar nga deputeti socialist Erjon Braçe, kryeministri Berisha i kujtoi socialistëve se në të njëjtën kohë që parlamenti shqiptar zhvillonte seancën, Bundestagu gjerman miratoi me votë unike, përfshirë edhe opozitën ligjin për dhënien e ndihmës financiare prej 211 miliardë euro, vendeve të Eurozonës në krizë ekonomike.
“Ju keni frikë nga vota juaj, ndaj nuk i votoni ligjet me 3/5, sepse mendoni se po i bëni nder qeverisë, por harroni se ligjet nuk kanë lidhje me qeverinë, por janë interesi i çdo qytetari dhe ne asgjë nuk kemi më të rëndësishëm se sa interesi qytetar.
Sot është votuar në Bundestagun Gjerman në unison, nga të gjithë krahët, që qeveria gjermane të vendosë në ndihmë të vendeve në vështirësi 211 miliardë Euro, në fondin e Bashkimit Europian. Jua kisha thënë më përpara, do kem 17 deputetë më shumë, por do të shkojë në 30 deputetë po të vazhdoni të sulmoni në këtë mënyrë, pa fakte dhe argumente”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai i kujtoi opozitës se nga vota e saj dhe mazhorancës lidhet interesi i qytetarëve shqiptarë dhe integrimi evropian i vendit. Sipas shefit të qeverisë, Shqipërisë i duhen më shumë se kurrë ligjet dhe reformat për përqafimin e të ardhmes evropiane.

Qeveri i shndërroi shqiptarët në pronarë, opozita sulme për të përbaltur privatizimet
Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj akuzave të Erjon Braçes lidhur me privatizimet, se ishte kjo qeveri që i shndërroi qytetarët shqiptarë në pronarë. Reagimi i kryeministrit erdhi pas akuzave të Braçes se “qeveria po privatizon gjithçka që është pasuri kombëtare e shqiptarëve”.
Sipas kryeministrit, kontratat koncensionare janë firmosur nga vetë socialistët, ndërkohë që qeveria e tij i ktheu shqiptarët në pronarë. “Për mua është një rast i veçantë që, nëpërmjet kësaj interpelance, të njoh qytetarët shqiptarë se çfarë bëhet me pasuritë e këtij vendi. E bëj këtë, me një kënaqësi të veçantë, jo se ne kemi arritur të përsosurën, por sepse me programin, përpjekjen tonë, ne jemi ata që i ri-shndërruam qytetarët shqiptarë në pronarë dhe vendosëm në pronësinë e tyre, Shqipërinë e tërë. Në muret e këtij parlamenti mund të lexohet beteja dyjavore e vitit  1991, kur krahu i majtë i asaj kohe donte me çdo kusht, t’u jepte fermerëve shqiptarë tokën si argat. Ajo ka qenë një beteje e ashpër dhe e vendosur. Betejë në të cilën ideja  jonë, e frymëzuar nga parimet e Xhefersonit  mbi tokën, u bë realitet në ligj për 460 mijë familje, fermerë  shqiptarë. Sigurisht, ne nuk ishin në pushtet, por, pas fitores plebishitare të vitit 1992, akti i parë më madhor i këtij krahu që qëndron sot, këtu, ishte ndarja sipas ligjit, e tokës dhe shndërrimi në pronar të 460 mijë familjeve shqiptare, të cilat pothuajse për gjysmë shekulli punonin si skllevër të vërtetë, në një sistem të pashpirt antivlerash.
Historia është histori. Aty ishin themelet. Dhe është po kjo mazhorancë, e cila ka në arkivin e saj trashëgiminë më të shkëlqyer të vendosjes në dispozicion në pronësi të aseteve të këtij vendi dhe vlerave të tij, qytetarëve shqiptarë, pa dallime të asnjë lloji.  Është po kjo mazhorancë që vendin më hiperkolektiv të planetit e privatizoi dhe ia doli që një hark kohor të shkurtër katërvjeçar, Prodhimi i Brendshëm Bruto në 80 për qind të tij të ishte rezultat i supeve, mendjes, mundit dhe djersës së shqiptarëve të lirë, pronarë dhe sipërmarrës. Është kjo mazhorancë, e cila do ta sillte ekonominë shqiptare nga një ekonomi tërësisht të falimentuar, me një recension ndër më të thellët që shkonte minus 20 për qind, me një inflacion 3 shifror, me një deficit buxhetor katastrofal, me reformat e thella që ndërmerrte u dha shqiptarëve stabilitetin makro ekonomik, bëri të mundur që ata me punën, mundin dhe djersën e tyre të zhvillojnë pronat e tyre dhe t’i japin vendit një rritje dy shifrore. Është kjo mazhorancë që vendosi asaj kohe barrën fiskale më të ulët në Europë, zbatoi me përpikëri  të madhe atë që quhej Regan Economics. Doktrina e Reganit u shndërrua  në platformën frymëzuese të mazhorancës. Doktrinë, e cila vendos në epiqendër të besimit dhe të të gjithave iniciativën e lirë të qytetarëve. Doktrinë, e cila i thotë qeverisë ndërhyrjen më minimale në aktivitetet ekonomike të qytetarëve, i thotë qeverisë, mos harro se ti je problemi. Me këtë postulat të famshëm, Regani u ka dorëzuar të gjithë atyre që duan të qeverisin me transparencë dhe përgjegjësi, edhe çelësin e fitores  nga zgjedhjet në zgjedhje, sepse asnjë qeveri dhe qeveritar nuk mund të bëhet pjesë e zgjidhjes, pa pranuar përgjegjësinë që ka vetë në problemin e dhënë dhe dilni ju e i bini borive, sa të doni dhe ku të doni, se Berisha pohoi se qeveria  është problemi. Berisha pohon  dhe do të pohojë se qeveria  është problemi dhe mbi këtë bazë, Berisha do të bëjë gjithçka që t’i japë zgjidhje problemit dhe janë pikërisht këto zgjidhje, ato që të sjellin fitoret plebishitare të Berishës. Është pikërisht kjo zgjidhje, ajo që ka bërë që Berisha, edhe i ulur në opozitë, këtu, ishte në qeveri faktikisht. Jo në karriget e qeveritarëve, por në qeverinë morale të vendit, të cilën ju nuk pranoni ta merrni”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se mazhoranca në pushtet ka paguar borxhe dhe hesape të trashëguara nga e kaluara, borxhe të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
“Kjo qeveri është qeveri e bazuar në ligje dhe këtë e ka faktuar në mënyrë të përsëritur. Por nëse ju doni të vendosni kontratat që keni firmosur vetë, si hipotekë e kësaj qeverie, nuk është serioze. Ne kemi bërë një gjë, kemi respektuar kontratat, pavarësisht se kush i ka firmosur para nesh, pavarësisht se mund të kemi pasur vërejtjet tona të shumta. Por unë që jam sot, këtu, i detyruar, që për hir të dinjitetit të këtij vendi, të pranoj edhe borxhet antikushtetuese të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë dhe t’i paguaj ato. Kur unë jam bërë President i këtij vendi, Banka e Shtetit ka pasur vetëm 4 milionë dollarë, aty janë të dhënat që e tregojnë këtë gjë, dhe fondi i pensioneve ka qenë zero. Por borxhin e njoha, borxhit i qëndrova dhe borxhin e paguam”, tha Berisha.
Duke iu referuar deklaratave të Braçes për afera korruptive në kontratat e koncesioneve, shefi i ekzekutivit i kujtoi deputetëve socialistë se ata janë firmëtarë të marrëveshjeve të nënshkruara me kompanitë.
“Ju kërkoni të grisni kontratat që i keni firmosur ju dhe këtë, ne nuk mund ta bëjmë, sepse ligji tregtar është ligj tregtar dhe ai nuk ka të bëjë me qeverinë, por ka të bëjë me të drejtat civile dhe tregtare të atyre që i firmosin, të cilat kanë vlerën e një të drejte kushtetuese, në rrafshin civil. Përse ju zotërinj kërkoni të plotësojmë këtë gjë? I merrni ato kontrata dhe i çoni në Gjykatë dhe i ndiqni ato, meqenëse ju duken të padrejta. Paditni veten tuaj dhe shihni sa do fitoni. Më thoni cilën kontratë ka firmosur me cen kjo qeveri? Mos i merrni gjërat nga bursa e shpifjeve, por i merrni nga të vërtetat”, tha Berisha.
Ai akuzoi opozitën se është përpjekur të përbaltë procesin e koncesioneve, i cili në vetvete shndrit në historinë e koncesioneve në Europë dhe në botë, që, si asnjë vend tjetër, janë firmosur në një hark kohor 2-3 vjeçar kontrata për ndërtimin e 220 hidrocentraleve.
“Krijoni komision hetimor dhe i analizoni një për një ato, por i konfrontoni me ligjet, se ku janë shkelur. Mos mendoni se lufta për motive politike jep rezultat. U faktua kjo, pati një prag; 140 mijë vota më shumë në zgjedhjet e fundit. Jua kisha thënë më para, 17 deputetë më shumë, por ju kërkoj ndjesë se, pasi u përllogaritën votat nga ata që kanë shpërndarë mandatet në vitin 2009, rezulton diferenca 18 deputetë dhe  ju garantoj se do të shkojë në 30 deputetë po të vazhdoni të sulmoni në këtë mënyrë, pa fakte dhe argumente. Ne gabojmë, kemi të meta, por nuk është e nevojshme kjo”, tha më tej kryeministri, duke iu përgjigjur deputetit socialist Erjon Braçe, në interpelancën e kërkuar nga ky i fundit.

Fondi i pensioneve

“Nga 50 miliardë lekë në 2005, sot është 106 miliard lekë”

Kryeministri Berisha cilësoi si suksese të qeverisjes së tij, vënien në jetë të skemës së pensioneve si dhe rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë. Berisha tha se në 2005-ën, në arkën e shtetit fondi i pensioneve ishte vetëm 50 miliard lekë, ndërsa sot është 106 miliardë. “Ne nuk kemi asgjë më shumë të rëndësishme, sesa mëkëmbjen dhe prosperitetin e qytetarëve të këtij vendi. Më lejoni t’ju raportoj se nga viti 2005 deri në këtë vit, mazhoranca ka vendosur në fondin e pensioneve 56 miliardë lekë. Në tete vite, kemi vendosur në fondin e pensioneve 13 miliardë lekë. Ne e kemi gjetur fondin e pensioneve gjithsej 50 miliardë, sot është 106 miliardë. Pensionistët shqiptarë meritojnë  206 dhe më shumë. Një gjë kemi bërë, kemi treguar ndjeshmërinë, përkushtimin, dhembshurinë më të madhe të mundshme ndaj tyre dhe si asnjë qeveri tjetër në Europë, kemi mbi-dyfishuar në një hark të shkurtër kohor, fondin e pensioneve. Dhe këta nuk janë një e dy, por janë 520 mijë familje shqiptare”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›