“Pakti i PS-së si pseudo-kauza e kutive, do të refuzojë pazaret me integrimin”

Astrit Patozi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së
“Mazhoranca është në Kuvend për t’i thënë ‘po’ nismave ligjore dhe kushtetuese, reformës zgjedhore dhe shqyrtimit të çdo kërkese ligjore të opozitës dhe çdo forme bashkëpunimi institucional, dhe për t’i thënë ‘jo’ pazareve të pista me integrimin, letrave qesharake me institucionet dhe legalizimit të Wikileaks”.
Kështu u shpreh dje në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në përgjigje të deklaratës së homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, i cili kujtoi dhe njëherë se votat e opozitës për ligjet me shumicë të cilësuar, do aprovohen atëherë kur mazhoranca të shqyrtojë 10 pikat.
Duke marrë fjalën në Kuvend, Patozi tha se “tani nuk ka më shqiptar që shpreson në përrallën e ndryshimit të sjelljes së PS-së, pas shpalljes së 10 pikave të Edi Ramës”.
“Sot nuk mund të miratohet sërish ligji për gjykatën administrative, një ndër të shumëpriturit jo thjesht nga politika dhe mazhoranca, por edhe nga qytetarët dhe biznesi, që janë përfituesit kryesorë. I ashtuquajturi pakt i Edi Ramës është si pseudo-kauza e kutisë që u përdor pa mëshirë dy vjet për të mos ardhur në Kuvend, dhe pastaj për të ardhur dhe për të mos votuar”, tha Patozi, duke sjellë në vëmendje faktin se edhe javën e kaluar opozita nuk votoi ligjet me 3/5 dhe u tërhoq edhe nga votimi i ligjeve të tjera.
Sipas tij, parlamenti nuk shqyrton dhe nuk shkruan letra të hapura dhe as nuk vihet në lëvizje përmes tyre, por prodhon ligje dhe vendime.
“Integrimi nuk është vetëm detyrim i mazhorancës, ndaj dhe me të nuk mund të bëhet pazar. Por, Edi Rama e paraqet atë, si një çështje ku opozita nuk ka asnjë përgjegjësi dhe kontributi i saj deri tani është vetëm premtimi se deputetët e opozitës nuk do të mungojnë më në punë”, vijoi Patozi.
Ai theksoi se më shumë se kurrë sot Kuvendi ka disa vendime për të marrë, por shihet qartë se kush i ka penguar dhe i pengon reformat e integrimit.
“BE kërkon që të miratohen ligjet me 3/5 , ndërsa Edi Rama thotë se kjo nuk mund të bëhet pa rënë dakord për pjesën që i takon PS për gjithë emërimet e larta që kalojnë nga Kuvendi. BE thotë të nisë sa më shpejt reforma zgjedhore, ndërsa Rama thotë se ndryshimet në rregullore janë më të rëndësishme. BE kërkon të kufizohet imuniteti i deputetit që Prokuroria t’i ketë të duart e lira për zyrtarët e lartë, Edi Rama thotë që t’i bëjmë letër Prokurores së Përgjithshme, a thua se ajo po pret shenjë të luftojë krimin dhe korrupsionin”, tha kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi.
Në përfundim, ai theksoi se mazhoranca është e gatshme që të adaptojë dhe përshtatë rregulloren e Kuvendit me praktikat më të mira të Brukselit