E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Greva e urisë s’ka lidhje me transparencën, por axhendë personale e Ramës

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, shprehu sot vullnetin e mazhorancës për të dialoguar me opozitën, në mënyrë që të ecet përpara me reformën që do t'i paraprinte zgjedhjeve të ardhshme dhe transparencës së plotë të tyre. Në një deklaratë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, zyrtari lart demokrat ftoi gjithashtu opozitën që të nisë dialogun në parlament për të realizuar bashkë me mazhorancën, reformën zgjedhore dhe të gjitha reformat e tjera jetike për vendin. Ai tha se i kanë kërkuar Ramës dhe partisë së tij që të hartojë të gjitha amendamentet që dëshiron për Kodin e ri Elektoral, në dritën e sugjerimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. “Le t'i dërgojë ato për një vlerësim në Komisionin e Venecias, apo në institucionet më të specializuara në botë për vëzhgimin e zgjedhjeve OSBE/ODHR dhe ne nuk kemi asnjë problem ti votojmë pa asnjë dyshim”, deklaroi Patozi. Për sa i përket grevës së urisë, kreu i grupit të PD, tha se “kjo vorbull e krijuar në këto muaj dhe greva e urisë që po zhvillohet në bulevard, nuk ka lidhje me transparencën, por është pjesë e axhendës personale politike të Edi Ramës që humbjen e tij po e përjeton njësoj sikur Shqipëria të ketë dalë nga një luftë civile në 28 qershor dhe jo nga një proces normal dhe transparent”, Sipas tij, kryesocialisti Rama po kërkon që me mjete radikale të arrijë atë që nuk arriti dot me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›