E ardhmja e Shqipërisë është në BE
Ministri italian i Mbrojtjes, Giampaolo di Paola vlerëson progresin në plotësimin e kushteve të Brukselit
“Italia do të qëndrojë aleate e palëkundur e Shqipërisë, në rrugën e reformave për integrimin evropian. E ardhmja e Shqipërisë është në BE” - këtë mesazh i dha Kryetares së Kuvendit, ministri italian i Mbrojtjes z. Giampaolo di Paola, në takimin që zhvilloi dje në selinë e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit zonja Topalli vlerësoi se kontributi i Italisë është themelor në mbështetje të shqiptarëve dhe përpjekjeve të tyre , për liri dhe demokraci. “Italia, tha Kryetarja e Kuvendit mbetet mbështetëse e veçantë e aspiratave të shqiptarëve gjatë gjithë historisë dhe arritjeve të tyre të jashtëzakonshme si, nënshkrimi i MSA, anëtarësimi në NATO, dhe liberalizimi i vizave. Ministri italian i Mbrojtjes i ka konsideruar të paimagjinueshme arritjet e Shqipërisë në këto 20 vjet, kryesisht anëtarësimin në NATO. Kryetarja e Parlamentit i ka shpjeguar Admiralit Di Paola rritjen e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë por edhe rolin e mazhorancës në inkurajimin e opozitës për miratim e heqjes së imunitetit të deputetëve dhe të zyrtarëve të lartë , si reformë bazë ligjore, në luftën kundër korrupsionit”.
Po dje ministri italian i mbrojtjes është pritur edhe nga Ministri i Punëve të jashtme Edmond Haxhinasto. Zv. Kryeministri duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe me Italinë dhe nivelin e shkëlqyer të tyre, e vlerësoi këtë vizitë si një mundësi efektive dhe konkrete për të zhvilluar më tej dialogun në fushën e mbrojtjes, i cili është i një rëndësie strategjike, në funksion të vënies në jetë të Deklaratës së Partneritetit Strategjik. Ai vlerësoi dhe falënderoi Ministrin italian për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar nga Italia në fushën e mbrojtjes, për riorganizimin dhe ristrukturimin e Forcave tona të Armatosura, si dhe bashkëpunimin në kuadër të misioneve ndërkombëtare.
Imami-Di Paola: Modernizimi i FA, Shqipëria do ketë një batalion të integrueshëm në NATO/Ministri i Mbrojtjes i Italisë, admiral Giampaolo Di Paola së bashku me një delegacion ushtarak italian është takuar në Tiranë me Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Gjatë këtij takimi dy homologët kanë bashkëbiseduar në lidhje me marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona, jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në fusha të tjera. Ministri Imami vlerësoi mbështetjen e qeverisë italiane në rrugën e modernizimit dhe transformimit të Forcave të Armatosura. Imami tha se mbështetja italiane do vazhdojë, ndërsa theksoi se objektivi mbetet që Shqipëria të ketë një batalion tërësisht të integrueshëm në NATO. “Ministri Di Paola më premtoi një mbështetje të plotë që nga planifikimi, ngritja dhe vlerësimi i kapaciteteve, asistenca teknike për FA, në mënyrë të atillë që Shqipëria, në përputhje edhe me angazhimet që ka marrë në një kohë të afërme (brenda vitit 2014-2015), të ketë një batalion tërësisht të integrueshëm në NATO. Çështja e dytë për të cilën ne biseduam ishte çështja e bashkëpunimit për vëzhgimin e hapësirës detare në detin Adriatik. Tashmë ju e dini që ne kemi një sistem të tillë që kryen funksionin e vëzhgimit detar (QNOD), i cili është një sistem model në mënyrën sesi e kryen punën për vëzhgimin e hapësirës detare. Po kështu kemi një kantier anijesh, ku prodhojmë anijet tona, kemi një flotë e cila çdo ditë e më shumë po aftësohet dhe po formatohet. Çështja e tretë, por jo për nga rëndësia, është një bashkëpunim i ngushtë në atë që ne e quajmë: “NATO Response Force”, ose (Forca e Përgjigjes së Menjëhershme), ku ne kemi deklaruar një togë të Policisë Ushtarake. Besoj që karabineria italiane është policia ushtarake më ekselence në botë dhe mbështetja e tyre do të bënte që edhe policia jonë ushtarake të jetë një njësi me kualitetet më të larta të mundshme. Këto tre çështje gjetën mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të ministrit të Mbrojtjes Italiane, gjë për të cilën unë e falenderoj”- u shpreh ministri Imami.
Ndërsa ministri Italian siguroi për vijimësinë e mbështetjes për Shqipërinë në përafrimin dhe integrimin e mëtejshëm të saj në strukturat evropiane. Ai vlerësoi se Shqipëria ka pësuar një zhvillim të dukshëm vitet e fundit, çka me të drejtë synon integrimin në strukturat evropiane. “Sikundër Italia ka pasur rastin të mbështesë fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, po kështu Italia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në përafrimin dhe integrimin e mëtejshëm të saj në strukturat evropiane. Italia, sikundër edhe vendet e tjera, ka investuar mjaft në vendet e Ballkanit Perëndimor. Frytet e këtij bashkëpunimi dhe kësaj mbështetjeje do të preken vetëm pas integrimit të plotë të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në aleancën euro-atlantike”- u shpreh ministri Di Paola. Më tej, duke folur për modernizimin dhe transformimet që po pësojnë aktualisht FA Shqiptare, admirali Di Paola theksoi se “Shqipëria është duke luajtur gjithashtu një rol mjaft të rëndësishëm falë edhe modernizimit të Forcave të Armatosura”. “Në këtë drejtim Italia ka pasur mundësinë dhe ka qëllimin që të mbështesë Shqipërinë pikërisht në modernizimin e Forcave të saj të Armatosura dhe në rritjen e aftësive dhe cilësive të saj në kuadër të NATO-s” - tha ai. Sipas tij, përqendrimi dhe angazhimi i mëtejshëm i Italisë do të fokusohet në drejtim të fuqizimit të mëtejshëm të Batalionit të Dytë të Motorizuar, e cila është një strukturë e Forcave Tokësore; në drejtim të fuqizimit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së hapësirës të zonës së bregdetare përgjatë Adriatikut deri edhe në Mesdhe, si dhe në drejtim të fuqizimit, modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve të Policisë Ushtarake.