E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Opozita të bashkëpunojë për realizimin e reformave - Rama e sheh konsensusin si bllokim

19-06-2012 / Gazeta 55

Kreu i mazhorancës: “Muri i vërtetë për heqjen e imunitetit është këshilli i miliarderëve të PS”

“Të fillojmë me imunitetin që të mos tregojë që është i vetmi opozitar në planet që e do qeverinë me imunitet. Të ngrihet mbi këshillin e miliarderëve. Ata janë 15, por qindramijëra socialistë shqiptare nuk duan imunitet për askënd. Muri i vërtetë për heqjen e imunitetit është këshilli i miliarderëve”

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha i bëri thirrje sërish dje Partisë Socialiste, që të bashkëpunojë për realizimin e reformave të integrimit. Berisha tha se interesat evropiane të shqiptarëve, duhet të jenë përparësi mbi të gjitha interesat politike. Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ai i sugjeroi Edi Ramës të nis bashkëpunimin me reformën e imuniteteve dhe të mos mbetet peng i këshillit të miliarderëve. Sipas kreut të qeverisë, parimi i ushtruar nga Rama “gjithçka ose asgjë” s’ka lidhje me konsensusin, por me bllokimin. “Do të dëshiroja t’i bëj një thirrje zotit Edi Rama, të vendosim interesat evropiane të shqiptarëve si përparësi të çdo përparësie. Konsensusi nuk mund të përdoret për bllokim, konsensusi është proces në të cilin çdo palë duhet të bëjë lëshime. Kemi punuar muaj të tërë në reformën zgjedhore, e kemi sjellë atë pothuajse në përfundim të plotë. Është bërë një punë serioze. Nuk duhet që, në momentet e fundit, të përdoret fuqia politike e drejtuesit për ta bllokuar këtë proces. Përse ky proces nuk u bllokua 3, 2 apo 1 muaj më parë? Përse ekspertët dhe deputetët e të dy grupeve arritën dakordësinë në të gjitha çështjet? Sepse ne pranuam çdo propozim të tyre. Por, si e ka z. Rama konsensusin? 100 për qind për vete dhe asgjë kundërshtarit. Por ky nuk është konsensus. Nëse ti thua; “unë i dua të gjitha, ndërsa ti “bërrylin””, atëherë ti nuk je për konsensus, por deklaron që të fillim që je kundër konsensusit. Ndaj dhe unë i bëj thirrje z. Rama të përparësojmë interesat evropiane të qytetarëve shqiptarë, të përfundojmë reformën zgjedhore, të lëmë mënjanë praktikat e “kokës së turkut”. “Koka e turkut” ne na u bë helmi në tepsi që servirte diktatura çdo gjashtë muaj, çdo vit, për të përzier shpirtrat e njerëzve. Nuk bëhet politika me “koka turku”, nuk bëhet konsensusi kështu. Nëse njëherë ti kërkon X-in e herë tjetër kërkon Y-in , atëherë duket sikur ne vendosim vetëm për të prerë koka. Nuk është demokracia prerje kokash. Ndaj e ftoj z. Rama, pa paragjykime, por duke vendosur interesat evropiane të qytetarëve shqiptarë si më të parat, e garantoj atë që, me angazhimin më të madh, do të mund t’i kompletojmë plotësisht reformat që presin shqiptarët. I bëj thirrje që ai të fillojë me cilën reformë të dojë, të fillojë me çështjen e imunitetit, që të mos pranojë më se është i vetmi opozitar në planet që e do qeverinë me imunitet, që do mazhorancën me imunitet. Le të ngrihet mbi “këshillin e miliarderëve”. Ata vërtetë janë 3 – 5 - 10 - 15, por janë qindra mijëra socialistët shqiptarë që nuk duan imunitet, as për qeveritarët demokratë, as për socialistët e as për askënd”- u shpreh Berisha. Duke theksuar se imuniteti mbahet peng nga “këshilli i miliardierëve të PS”. “Është e qartë se muri i vërtetë për heqjen e imunitetit është “këshilli i miliarderëve”. Po mbahet peng procesi për pasuritë e Tomë Doshit, Sadri Abazit, Koço Kokëdhimës, Fidel Yllit, etj. Më mirë sill një ligj amnistie për këta, por mos mbaj peng proceset për ta. Ç’punë kanë qytetarët e thjeshtë me imunitetin, për çfarë u duhet atyre!. Përkundrazi, atyre u duhet që sa më shpejt qeveritarët e zyrtarët të jenë pa imunitet”- theksoi kryeministri. Berisha theksoi gjithashtu se angazhimi në reforma, është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. “Unë e kuptoj që ka njerëz të cilët nuk i duan, të cilët duan të bëjnë beteja politike për të maskuar bllokimin e imunitetit, për t’i përdorur si pretekst. Por koha është të kapërcejmë mbi to, koha është të votojmë ato reforma që i kemi pothuajse të finalizuara dhe në të cilat, ashtu siç është faktuar, PD-ja ka lëshuar në mënyrën më të vendosur dhe të vazhdueshme”- tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›