Gati vendimi për rritjen e re të pagave dhe pensioneve

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha njoftoi vendimin e nesërm të qeverisë për rritjen e re të pagave dhe pensioneve, sipas kategorive, me një nivel deri në 5 përqind. Në kulmin e krizës ekonomike, vendimi konfirmon vitalitetin e ekonomisë shqiptare, por edhe performancën e suksesshme të sistemit fiskal
“Qeveria do të marrë vendimin të mërkurën, për rritjen e pagave dhe pensioneve”.
Lajmin e dha dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat duke theksuar se vendimi do të merret në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Ministrave. Sipas kryeministrit, rritja e rrogave dhe pensioneve u bë e mundur falë reformave të suksesshme të ndërmarra nga ana e qeverisë shqiptare. “Kam kënaqësinë tu konfirmoj se janë bërë përllogaritjet e fundit dhe në mbledhjen pas kësaj të mërkure, qeveria vendos për rritjen e rrogave dhe pensioneve në vend. Nuk ka vendim më njerëzor se vendimi për të rritur në këtë periudhë, rrogat dhe pensionet për shqiptarët. Rritja e rrogave dhe pensioneve është një akt madhor, premtim madhor në politikën sociale të kësaj mazhorance dhe të kësaj partie. Por premtimet janë premtime, ato mbeten në letër në se nuk shoqërohen me realizimet. Rrogat nuk do të mund të rriteshin qoftë dhe një qindarke, madje në kushte të njëjta me vendet e tjetra të rajonit dhe të Evropës, ato do të duhej të uleshin në mënyrë të ndjeshme, pensionet nuk do të mund të rriteshin qoftë dhe një qindarkë, por do të duhej të praktikohej politika e ngrirjes së tyre, ose e uljes së tyre me 20 deri në 40% , ndihma ekonomike nuk do të ngrihej, por do të shkurtohej, në rast se ekonomia shqiptare, në rast se qeverisja, në rast se reformat nuk do të ishin një histori e vërtetë suksesi. I tërë qëllimi i një qeverisje, i një qeverie, i reformave që ajo ndërmerr, është para së gjithash një dhe vetëm një, mirëqenie në rritje për qytetarët, përmblidhet ne një frazë të vetme, mirëqenie ne rritje për qytetarët. Mirëqenia ka aspektet e veta, të ardhurat, shkollimin, shërbimin shëndetësor, transportin, infrastrukturën, pra është esenca bazë e një tërësie faktorësh, të cilave ne po i përmbaheni dhe të cilat po bëhen përditë e me te prekshëm për qytetarët shqiptare. Pra ne vijmë në këtë prag vere pasi përjetuam dimrin më të vështirë të 27 viteve të fundit. Përsëri me mundësinë e plotë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, pa marrë qoftë dhe një qindarkë të vetme borxh për rritjen e tyre. Ne vimë në këtë prag vere pasi me qindra projekte në infrastrukturën publike rrugore, të ujit, të energjisë, infrastrukturës dixhitale kanë lëshuar dhe po lëshojnë shtat çdo ditë e më shumë. Ky është modeli të cilin vendosem ne, ky është modeli i cili i qëndroi vështirësive më të mëdha të një krize multidimensionale, të shumanshme që ka pllakosur Evropën dhe që do të vazhdojë me sa duket për jo pak vite. Ky është modeli që bazohet në ligjet dhe në praktikat më të mira, që bën të mundur rritjen e të ardhurave, që bën të mundur rritjen e investimeve, që bën të mundur rritjen e rrogave, që bën të mundur rritjen e pensioneve, që bën të mundur ndryshime kolosale të infrastrukturës, që bën të mundur një besim gjithnjë e më të madh tek Shqipëria dhe shqiptarët, jashtë çdo lloj dyshimi që vendi përballet me vështirësi të shumanshme të krijuara në tërësinë e tyre nga kriza evropiane, krizë kjo që dikton qëndrimin e sistemit bankar, krizë kjo që dikton luhatjet e kursit të euros, krizë kjo që dikton për shkak të cënimit të fuqisë blerëse, prekjen e eksporteve, por që në tërësinë e saj bën që ekonomia shqiptare të eci, të qëndrojë dhe të beje të mundur më të rëndësishmen rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kjo rritje në vitin më të vështirë të krizës ekonomike për Evropën ka dhe një nëntekst që bëhet më reale se asnjëherë sepse e vërteta është që inflacioni po bie. Për shkak të krizës evropiane, rënia e çmimit të mallrave në Evropë, ka bërë që çmimet këtu të ulen, më shumë se asnjëherë tjetër. Këtu natyrisht ndikon edhe prodhimi i rritur në vazhdimësi. Tani është periudha që ne po korrim, po vjelim rezultat e atyre politikave nxitëse që kemi ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve të fundit për prodhimin bujqësor. Sot janë qarqe të tëra ku prodhimi bujqësor i artikujve të caktuar është rritur, jo një herë e pesë herë, por gjashtëmbëdhjetë herë, siç janë molla në qarkun e Korçës, apo zarzavatet në Berat, Dumre e kudo, është shumëfishuar sipërfaqja e serave diellore, ne paguajmë plastmasin, ne përpiqemi tu asistojmë fermerëve, është dy-trefishuar numri i rrënjëve të ullinjve që kanë hyrë në prodhim, janë shtuar në mënyrë të fuqishme kapacitet prodhuese për shkak të ndërtimit të infrastrukturës. Heroi i Edi Ramës, por njëkohësisht edhe miku im Dhimo Kote, më tha në takimin e fundit, se më parë eksportonte shalqi, ndërsa tani është shumëfishuar çdo gjë pasi është ndërtuar rruga dhe transporti, i cili më parë i merrte shumë kohë, tani realizohet në një kohë rekord. Për 8 vjet, atij (Dhimos) nuk ia ndërtuan rrugën. Se është kollaj ta bësh si të vetmin personazh pozitiv dhe në fakt ai e meriton, ( unë habitem si e le Koçoja se ai nuk toleron njeri përveç vetes së tij. Ai është faktikisht Nënkryetari në hije i PS). Pra e gjitha kjo po jep rezultatet e veta, po rritet prodhimi bujqësor dhe blegtoral në mënyrë të fuqishme çka bëri që çmimet të mos ecin me ato ritme që kanë ecur më parë. Rritja e rrogave dhe pensioneve, 5 % mesatare për rroga, rritja e pensioneve të fshatit po kaq, rritja e pensioneve në qytet, që të gjitha dy ose tre herë më shumë se inflacioni, do të thotë një rritje e fuqisë blerëse. Pseudoekonomistët e tyre thonë se rrogat shtohen dhe fuqia blerëse bie, por si ka mundësi kjo? Pra kjo përbën një rritje të ndjeshme të fuqisë blerëse shqiptare të 820 mijë familjeve shqiptare, të cilat nga data 15 korrik e në vazhdim do të marrin më shumë se para datës 15 korrik. Shqiptarët janë fatlum që këto vendime, këto akte madhore që prekin direkt jetën e tyre të përditshme, kursimet dhe mirëqenien e tyre, nuk mund të bllokohen për shkak se po të ishin dhe këto në ligjin e konsensusit, jo që nuk do të rriteshin, por do të uleshin, jo që nuk do të miratoheshin, por do të bllokoheshin, siç u tentua të bllokohej tuneli i Kërrabës, sepse për zotin Rama, konsensus do të thotë bllokim. Ky është deshifrimi që i bën ai kërkesës civile të qytetëruar për konsensus”- u shpreh kryeministri Berisha.