Berisha: “Opozita të kontrollojë procesin e infrastrukturës zgjedhore”
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha, ndërsa ka kërkuar bashkëpunim me opozitën për konstituimin e Komisionit Qendror i ri Zgjedhor, i ka bërë ftesë opozitës që të kontrollojë përgatitjet për procesin zgjedhor. “Çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe e të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet. Ju bëj thirrje të ulemi me opozitën për të ndërtuar një komision me kredibilitetin më të lartë, sikundër ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Nuk kemi asnjë qëllim, vetëm një proces dinjitoz zgjedhor”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu ka dhënë përgjigje dhe për kërkesën e kryetarit të opozitës, Edi Rama, për përdorimin në zgjedhje të pasaportave ekzistuese. “Duke ardhur këtu më informuan se kryetari i opozitës ka kërkuar vendim qeverie për pasaportat ekzistuese. Unë do të autorizoj Ministrinë e Brendshme që menjëherë të vendosë kontaktet me ta. Çdo lloj propozimi që opozita e gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit ne jemi të hapur. Ne duam që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces”, - është shprehur kryeministri.
Rama: “Propozimet e PS-së për të shmangur dështimin e zgjedhjeve”
Kreu i PS-së: “Procesi i vonshëm i shpërndarjes së kartave të identitetit po rrezikon zgjedhjet”
Rama: “Të krijohet një komision i posaçëm parlamentar për monitorimin e infrastrukturës zgjedhore”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaron se ecuria problematike e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit përbën kërcënim serioz për zhvillimin normal të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për këtë arsye, kreu i selisë rozë ka bërë një sërë propozimesh në drejtim të qeverisë, të cilat, sipas tij, nëse do të realizohen, do të garantonin një proces zgjedhor me standarde. Rama ka propozuar që qeveria të nxjerrë një vendim të posaçëm, për të shpërndarë, sipas njësive vendore, emrat e shtetasve shqiptarë që nuk kanë pasaporta në përdorim. Sipas tij, njësitë vendore duhet t'i njoftojnë nominalisht këta shtetas që të aplikojnë për kartën e identitetit, sipas një kalendari të bërë publik, duke i njohur me sanksionet e përcaktuara në rast mospajisjeje me kartë në afatin e parashikuar. Kreu i PS-së ka propozuar gjithashtu krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për të monitoruar procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore. Kreu i selisë rozë kërkoi gjithashtu pastrimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile nga emrat dublikatë dhe afishimin e listave të zgjedhësve, që bazohen në regjistrat e pastruara.
Zgjedhjet
Rama tha se opozita është e alarmuar për rrezikun që i kanoset zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Sipas tij, zgjedhjet rrezikohen për shkak të emrave dublikatë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile si dhe për shkak të ecurisë së ngadaltë të shpërndarjes së kartave të identitetit. Duke u ndalur te regjistri, Rama tha se vetë qeveria ka pranuar që në të gjenden mbi 100 mijë emra të dubluar, ndërkohë që ai dënoi vonesat në hartimin e një regjistri të saktë zgjedhësish, i cili duhet të ishte përfunduar që në korrikun e vitit 2008. Nga ana tjetër, Rama u ndal te procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit, për të cilat tha se vonesa është shumë dramatike. “Çfarë mund të presim deri më 28 qershor nga procesi i porsanisur, kur në rreth një javë kanë aplikuar jo më shumë se 20 000 persona, ndërkohë që deri ditën e zgjedhjeve kanë mbetur jo më shumë se 115 ditë pune, madje pa llogaritur festat, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve është rreth 3 milionë qytetarë e qytetare?! Vonesa dramatike e këtij procesi gjatë gjithë këtij mandati të dështuar qeverisës i ka sjellë gjërat vërtet në buzë të humnerës dhe ka bërë që këto zgjedhje historike për Shqipërinë e përfshirë në angazhime të mëdha me familjen euroatlantike, të kërcënohen shumë seriozisht në standardet e tyre”, - tha kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Propozimet
Rama tha se Partia Socialiste nuk mund të rrijë duarkryq përballë kësaj situate që rrezikon procesin zgjedhor. Ai bëri një sërë propozimesh në drejtim të Këshillit të Ministrave, të cilat, sipas tij, do të ndihmonin në zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Rama tha se përderisa në Kodin Zgjedhor është sanksionuar votimi me karta identiteti ose me pasaportë dhe duke qenë se procesi i kartave të identitetit po realizohet me vonesë, qeveria duhet të nxisë shpërndarjen e shpejtë të pasaportave me anë të një VKM-je të posaçme. “Ne propozojmë që Këshilli i Ministrave të nxjerrë pa humbur kohë një vendim të ri, ku të urdhërojë, në bazë të listës zyrtare të shtetasve pa pasaportë, shpërndarjen e emrave të tyre sipas çdo njësie vendore deri në datën 31 janar 2009.
Autoritetet vendore duhet të ngarkohen që përveç publikimit zyrtar të listës përkatëse të banorëve të njësisë së tyre pa pasaportë, t'i njoftojnë nominalisht këta shtetas që të aplikojnë për kartën e identitetit, sipas një kalendari të bërë publik, duke i njohur me sanksionet e përcaktuara në rast mospajisjeje me kartë në afatin e parashikuar. Vetëm kështu ne besojmë se mund të arrihet që rreth 740 mijë qytetaret e qytetarët votues që nuk disponojnë pasaportë, të mund të pajisen me kartë identiteti para 28 qershorit”, - tha Rama, i cili propozoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për monitorimin e procesit të infrastrukturës zgjedhore.
Propozimet e Ramës
1-Pastrimi i Regjistrit Kombëtar të Zgjedhësve nga 100 mijë emrat dublikatë
2-Vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave për shpërndarjen në njësitë vendore të emrave të shtetasve që nuk kanë pasaporta
3-Njësitë vendore, pas publikimit të listave, duhet të njoftojnë shtetasit për të aplikuar për marrjen e kartave të identitetit
4-Ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për monitorimin e procesit të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore
20 Janar 2009