E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikanët shqiptarë, në ceremoninë e betimit të Presidentit të SHBA-ve, Obama



Tiranë - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Drejt Uashingtonit janë nisur disa emra të njohur të politikës shqiptare. Në ceremoninë që mbahet sot, më 20 janar, marrin pjesë dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Valentina Leskaj, kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Ilir Meta, si dhe kryetari i grupimit G99, Erion Veliaj. Në këtë ceremoni merr pjesë edhe deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj në pozicionin e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në këtë ceremoni, që do të zhvillohet në Uashington, do të jenë të pranishëm dhe deputetë të tjerë europianë, anëtarë të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Ceremonia e betimit, që do të mbahet në mesditë në Kapitol, pritet të ndiqet drejtpërsëdrejti nga afro 4 milionë njerëz. Presidenti Barak Obama do të kryejë betimin prej 36 fjalësh dhe më pas do të mbajë fjalimin e inaugurimit, duke i folur kombit amerikan dhe botës për herë të parë si President i SHBA-ve. Ngjarjet e inaugurimit të Presidentit Obama kanë filluar më 17 janar me udhëtimin me tren, që u nis nga Filadelfia për të mbërritur në Uashington D.C. “Pranvera e ngrohtë dhe ditë më të mira do të vijnë për SHBA-të”, - deklaroi Presidenti i zgjedhur Obama, pasi mbërriti me tren në Uashington.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›