E Diel, 1 Nëntor 2026

Çuli: “Shqipëria me demokraci hibride? Zgjedhjet e lira në pikëpyetje”



Partia Social-Demokrate reagon pas publikimit të raportit të “The Economist”, i cili e klasifikon Shqipërinë në vendet me demokraci hibride. Kryetarja e Grupit Parlamentar social-demokrat, Diana Çuli, tha se fakti që Shqipëria ndodhet në kategorinë e vendeve me demokraci hibride do të thotë se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme mbetet në pikëpyetje. “Të jesh në kategorinë e vendeve me demokraci hibride do të thotë të mos jesh i aftë të realizosh zgjedhje të lira dhe të ndershme; të keqqeverisësh; të mos kesh liri të plotë të medias; të mos e kesh plotësisht të sigurt jetën e qytetarëve të vendit; të ushtrosh presion politik mbi institucioneve e pavarura”, - tha ajo. Çuli fajësoi qeverisjen aktuale, si shkaktare të reduktimit të nivelit të demokracisë në vend. “Ky nuk është faji i shoqërisë shqiptare, e cila e dëshiroi, e ndryshoi sistemin dhe e kërkon vazhdimisht demokracinë, por faji maxhorances dhe i keqqeverisjes së saj. Ashtu si e la mandatin e parë në ‘96-’97-n, kur gati e futi vendin në konflikt civil, në këtë mandat keqqeverisja e saj dallohet nga dy tipare kryesore: nga korrupsioni dhe konflikti institucional. Të gjitha ligjet, në kuadër të gjoja reformës ligjore, qeveria i sjell në Parlament me synimin për të mbuluar korrupsionin dhe jo për ta zbuluar atë. Për të arritur këtë synim i duhet të nënshtrojë institucionet e pavarura”, - tha deputetja e PSD-së Diana Çuli.

Shalsi: “Rrëzimi i buxhetit po pengon zhvillimin e Tiranës”

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, deklaron se rrëzimi i buxhetit 2009 për Bashkinë e Tiranës ka paralizuar realizimin e disa projekteve kryesore, mes të cilave edhe parku te Fusha e Aviacionit. Gjatë prezantimit të projektit për këtë zonë, nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi, akuzoi kryeministrin Berisha dhe kreun e LSI-së Ilir Meta si pengues të zhvillimit të qytetit për përfitime politike. “Zbatimi i këtij projekti do të fillonte me buxhetin 2009, por Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk duan një park të ri për kryeqytetasit. Duan që zhurma dhe pluhuri e këtij parku ta shfrytëzojnë për përfitimet e tyre politike, me shpresën se do të mundë të armiqësojnë qytetarët me bashkinë e Tiranës. Kjo është edhe arsyeja që së bashku, në një dorë, ata votuan kundër buxhetit të Bashkisë së Tiranës, që do të ndërtonte një park në këtë zonë”, - tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›