Berisha: Organizatorët e dhunës, dreka me prokurorët e hetimit
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se nga ana e organit të akuzës, ka një përpjekje të vazhdueshme për degradimin e procesit të hetimit të 21 janarit. “Ne konstatojmë se integriteti i këtij procesi është thellësisht i kompromentuar, për shkak të botimit të përditshëm të të gjitha dokumenteve nga selia e Partisë Socialiste, në mediat që ajo kontrollon dhe komunikimit direkt të prokurorëve me këtë seli. Ne konstatojmë se mandatet e arrestit ndaj të gjithë zinxhirit të komandës së Gardës së Republikës, u faktua se ishin kryekëput politikisht të motivuara. Ne konstatojmë se sërish vazhdon me një përpjekje të pafrenuar, për të realizuar qëllime politike. Në një kohë kur mbrojtësit penalizohen pa asnjë fakt, organizatorët e mercenarëve e bashibozukëve, drekojnë e darkojnë me prokurorët e hetimit”, - tha dje Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar. Kryeministri shtoi gjithashtu se qëndrimi i Prokurorisë ka qenë i njëanshëm kundrejt dosjeve për korrupsion, që janë depozituar në organin e akuzës. “Ne sërish japim shembullin dhe e bëjmë këtë, në një kohë kur kemi përballë një prokurori, që fle mbi qindra e qindra dosje të ish-qeverisë së mëparshme dhe qeveritarëve vendor socialistë dhe ka hapur qindra çështje penale, ndaj qeverisë dhe administratës aktuale, për të cilat unë e falënderoj”, shtoi ai. Kreu i ekzekutivit sqaroi gjithashtu se institucionet e vendit do të mbrohen me çdo kusht dhe çmim. ”Mjerë ata që guxojnë t’i prekin ato. Ne qëndrojmë fuqishëm prapa Kushtetutës e ligjeve të vendit. Vendosmëria jonë është totale për mbrojtjen e tyre, përndryshe nuk mbrojmë dot liritë e të drejtat e qytetarëve. Vendosmëria jonë është totale për mbrojtjen e tyre, përndryshe ne nuk ndërtojmë dot të ardhmen, nuk mund të jemi shoqëri e lirë”, - tha ai. Berisha tha gjithashtu se zgjedhjet vendore do të zhvillohen më 8 maj dhe sipas tij “nuk do të ketë forcë që do mund t’i zhvendosë ato”. “Garantoj opozitën se do të ketë të gjitha hapësirat që duhet të ketë në një garë elektorale, të një vendi e shoqërie të lirë”, - shtoi ai.