E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret Wollfarth: Nuk ka shtyrje zgjedhjesh

Zgjedhjet lokale të 8 Majit ishin në qendër të bisedimeve në takimin mes Kreut të Shtetit, Bamir Topi dhe ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth. Topi shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së në demokratizimin e institucioneve shqiptare, forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në kuadër të mbarëvajtjes e proceseve zgjedhore në vend. Presidenti theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve, për ripërtëritjen e përfaqësuesve të organeve drejtuese të pushtetit vendor. Gjithashtu, Kreu i Shtetit nënvizoi qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011, duke u bërë thirrje partive politike që t’i vlerësojnë ato me seriozitet maksimal. Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi faktin se ka qenë dhe vazhdon të mbetet në sintoni të plotë edhe me apelet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, që partitë politike në vend të marrin të gjitha masat e duhura dhe të plotësojnë detyrimet kushtetuese dhe ligjore, për mbajtjen e suksesshme të këtyre zgjedhjeve. Topi përsëriti mesazhin e tij të shprehur edhe më parë, duke theksuar se vazhdimi i axhendës integruese europiane të Shqipërisë, si dhe përmbushja e suksesshme e projekteve madhore që ka ndërmarrë vendi ynë, shtrojnë si domosdoshmëri që këto zgjedhje të mbahen në afatin e përcaktuar ligjor. Nga ana e tij, Ambasadori Wollfarth shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, duke ndarë me të, të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm dhe sipas afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth nënvizoi domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku zgjedhjet vendore për të mos humbur më kohë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e standardeve demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›