E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, PPE-ve: Vota majtas, votë për muret e krimit e korrupsionit



Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje PPE-të, të mbledhura në Varshavë, se e djathta shqiptare do të jetë fituese e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Me garancinë se Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira, Berisha u shpreh para audiencës së kryetarëve dhe presidentëve të partive simotra evropiane se për shqiptarët vota majtas është votë për krimin dhe korrupsionin. Duke besuar në mençurinë e shqiptarëve se edhe këtë radhë do të dinë kujt t’i besojnë të ardhmen e tyre, Kryeministri Berisha ftoi partitë popullore evropiane që të sjellin sa më shumë vëzhgues gjatë zgjedhjeve. Kryeministri i vendit mbajti paraditen e djeshme një fjalim në seancën e Kongresit të PPE-ve në Varshavë të Polonisë. Ai pohoi qartë se është i vendosur të pranojë çdo verdikt të popullit shqiptar. “Ndonëse jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t’ju informoj se ne do t’i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure; do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që, me ndihmën tuaj, do të shndërrohen në realitet përsëri”, - deklaroi z. Berisha. Mes duartrokitjeve të shumta në sallë, Berisha premtoi solemnisht se më 28 qershor, Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të barabarta. “Dhe do ta mbaj këtë premtim, me gjithë përkushtimin tim. Dhe ju ftoj ju, partive të PPE-së, të dërgoni vëzhgues, sepse shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri kujtoi se në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ngjarjes më të madhe në historinë e qytetërimit tonë, në historinë e lirisë së njerëzimit, pas Luftës së Dytë botërore, çdo qytetar i lirë i Evropës i detyrohet kaq shumë dhe nderon sot dy burra të mëdhenj të kombit polak: Papa Gjon Pali i Dytë, i cili shndërroi kishën në një mburojë të vlerave fondamentale në shoqëritë e shtypura dhe Presidentin Leh Valesa, Davidi, i cili në Dansk, në emër të popullit të tij dhe të gjithë popujve të shtypur të Evropës, luftoi dhe mundi Goliathin. Presidentin Valesa, Berisha preferoi ta përshëndeste me përshëndetjen tradicionale shqiptare: “Tungjatjeta”, moment në të cilin audienca shpërtheu në duartrokitje. Duke iu drejtuar presidentëve të PPE-ve, Kryeministri vuri në dukje se pas anëtarësimit në NATO, ëndrra tjetër e shqiptarëve është integrimi evropian. Në këtë pikë, Berisha përmendi situatën në të cilën e mori drejtimin e qeverisë 4 vjet më parë dhe si mundi të përmbushte reformat përgjatë këtij mandati. “Katër vite më parë unë erdha në pushtet. Kombi im po përballej me disa mure shumë të vështira që qëndronin para tij, mure të cilat pothuajse po i mbyllnin dyert projektit të tij ëndërr, muri i krimit të organizuar, muri i korrupsionit. U zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoja me tolerancë zero krimin e organizuar dhe do ta çmontoja atë mur dhe kështu bëra (duartrokitje). Në 16 muaj ne çmontuam 206 grupe kriminale dhe arrestuam mbi 1000 anëtarë dhe bosë të këtyre organizatave dhe sot vendi im ka treguesit e kriminalitetit më të ulët se mesatarja juaj”, - tha z. Berisha. Sipas tij, tashmë Shqipëria është një vend i sigurt. “Muri i dytë, - vijoi ai, - ishte korrupsioni. U zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj korrupsionin me zero tolerancë”. Kryeministri informoi audiencën se Shqipëria, që ishte ndër 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la mbrapa 95 vende dhe është duke u përmirësuar. “Ne, - pohoi Berisha, - nxorëm administratën publike jashtë konfliktit të interesit, nxorëm një ligj për të mbrojtur informantët kundër korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblejmë ata me 6% të vlerës që sjellin. Ne, - shtoi më tej, - realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike”. Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri foli për rezultatet e arritura gjatë qeverisjes së tij, duke u fokusuar tek shkurtimi i shpenzimeve operatore, ulja e taksave, lufta kundër krimit ekonomik etj. Në këtë rast Berisha u kërkoi PPE-ve që të sjellin sa më shumë investues në Shqipëri, pasi ky vend ofron mrekullitë e natyrës dhe të njeriut të lirë. “Sot vendi im është vendi me taksat më të ulëta në Evropë. Ju lutem, thojuni investitorëve tuaj të vijnë në vendin tim, përfundimisht ata do të jenë të lumtur. Ata do të gjejnë një taksë të sheshtë 10%, 15% kontribut social dhe 1.5% taksa e biznesit të vogël. Unë do të vazhdoj me revolucionin fiskal. Por cilat janë të ardhurat, mund të më pyesni ju? Ato rriten çdo vit me 22%, çdo vit unë kam dërguar në qershor një buxhet të dytë shtesë në Parlament. Taksat e ulëta shpërblejnë më shumë sesa taksat e larta. Vendi im kishte një rritje 8% këtë vit, si pasojë e krizës, ne përsëri po mbahemi në 4%”, - deklaroi Kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›