Fullani: Ritmet e aktivitetit kreditues janë ulur në 2009
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe analizoi ecurinë e treguesve ekonomikë dhe monetarë gjatë tremujorit të parë të vitit 2009. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: “Të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi njëjavor”. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha në këtë mbledhje, se të dhënat e fundit të ekonomisë botërore theksuan edhe më tepër përmasat e krizës. Por sipas tij, "Aktiviteti ekonomik në vend u zhvillua në kushtet e një ecurie të qëndrueshme të çmimeve të konsumit. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në tremujorin e parë të vitit 2009 vazhdoi të ruajë të njëjtin model kontributdhënës të kategorive të mallrave dhe shërbimeve me periudhën e fundvitit 2008. Inflacioni vjetor shënoi vlerën 1.9 për qind, duke qëndruar pranë kufirit të poshtëm të tolerancës së objektivit të Bankës së Shqipërisë për të. Rënia e inflacionit për këtë periudhë u shkaktua kryesisht nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në botë. Normat e ulëta të inflacionit bazë dhe atij të mallrave me çmime të patregueshme dëshmojnë për rënien e presioneve inflacioniste nga ana e kërkesës së brendshme. Rënia e ndjeshme dhe e shpejtë e inflacionit, veçanërisht në tremujorin e katërt të vitit të kaluar dhe në tremujorin e parë të vitit 2009, ngadalësimi i ritmeve të rritjes së kredisë për ekonominë, pritjet pesimiste të bizneseve dhe konsumatorëve për zhvillimet e ardhshme në aktivitetin ekonomik dhe në fushën e çmimeve, sinjalizojnë ngadalësim të kërkesës së brendshme dhe të jashtme. Sipas analizave tona, rreziqet për presione inflacioniste në një horizont afatmesëm, janë në masën më të madhe, të ekuilibruara". Guvernatori theksoi se "sipas statistikave zyrtare, ekonomia shqiptare gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008 ka ruajtur ritmet e tremujorëve paraardhës. Shifra e afarizmit për sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve shënoi një rritje vjetore prej 22 për qind. Sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve dhanë kontributin kryesor në rritjen e aktivitetit ekonomik. Përkundrejt zhvillimeve të ekonomisë së brendshme, ecuria e sektorit të jashtëm dëshmon për një rënie të shkëmbimeve tregtare me botën gjatë periudhës janar-shkurt 2009. Importet dhe eksportet janë ulur gjatë kësaj periudhe duke u shoqëruar me një ngushtim prej 4.3 për qind të deficitit tregtar. Pavarësisht ritmit më të lartë rënës të eksporteve kundrejt importeve, baza e lartë e këtyre të fundit ka ndikuar në ngushtimin e deficitit tregtar". Banka e Shqipërisë, - tha Fullani, - gjykon si të domosdoshëm rishikimin e shpenzimeve të planifikuara duke bërë korrigjimet e duhura sipas prioriteteve. Fullani tha se "si pasojë e uljes së likuiditetit të sistemit bankar, ritmet vjetore të zgjerimit të aktivitetit kreditues janë pakësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2009. E pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë u ngadalësua më tej, duke arritur në 29 për qind në muajin shkurt. Ndonëse ngadalësimi i aktivitetit kreditues i shërben qëndrueshmërisë së pozicionit të jashtëm valutor të vendit, zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë është duke furnizuar me likuiditetin e nevojshëm sistemin bankar dhe duke punuar me të për kontrollin e elementeve të kredisë që nuk kanë lidhje me koston, por që ndikojnë ecurinë e saj”.