E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PR e mirëpritur në qeveri. Nuk ndërhyj në punët e brendshme të PDK-së

Ndryshimet në qeveri vazhdojnë të mbahen pezull nga zhvillimet e fundit në politikën e djathtë. Ndryshimet kushtetuese, refuzimi i republikanëve për të hyrë në qeveri me një post më pak të rëndësishëm se ai i Ministrisë së Mbrojtjes, ngjarja e Gërdecit, përplasjet e qeverisë dhe Kuvendit me institucionet e pavarura për ligje të ndryshme, vazhdojnë të mbajnë larg Kryeministrin Berisha nga ideja e ndryshimeve në qeveri. Të gjitha këto turbullira brenda së djathtës i vërteton fare mirë moszgjidhja e zv/kryeministrit, e cila për momentin vazhdon të jetë një vendim i pafirmosur në tryezën e shefit të qeverisë. Republikanët kërkojnë që pozicionin e një ministri të mos e marrë një deputet i huazuar nga Partia Demokratike drejt Partisë Republikane, por një deputet nga brenda radhëve të PR-së. Kryesia e PR-së pritet të diskutojë mbi tri emrat që deri tani janë favoritë mes republikanëve dhe më pas të miratojë emrin përfundimtar në Asamblenë e Partisë Republikane. Arjan Madhi, Besnik Bisha dhe Artur Hasanbelliu janë tri emrat favoritë të diskutuar mes radhëve të Partisë Republikane për të fituar një post ministror. Nga ana tjetër, Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur dje për të disatën herë se republikanët janë të mirëpritur në qeveri. "Partia Republikane është parti e koalicionit. Ajo ka marrë vendim të përfaqësohet në qeveri dhe do të përfaqësohet në qeveri", është shprehur Berisha. Nga ana tjetër, një "luftë" karrigesh brenda Partisë Demokristiane rrezikon sërish kabinetin qeveritar nga ndryshimi i ministrave. I pyetur nëse këto boshllëqe do të sjellin ndryshime brenda ekzekutivit, Kryeministri Berisha ka preferuar ta evitojë krejtësisht. Për sa i përket përplasjes në PDK, Berisha u ka bërë thirrje demokristianëve për të zgjidhur punët e tyre të brendshme dhe më pas të kontaktojnë me kreun e qeverisë për të zbatuar marrëveshjen e nënshkruar për bashkëqeverisjen PD-PDK. "Unë nuk mund të hyj në asnjë rast në punët e brendshme të asnjë partie politike. Unë jam Kryeministër. Nuk kam të bëj me problemet e brendshme të partive aleate dhe jo aleate. Kjo nuk më takon", tha ai. Për situatën e ndodhur brenda PDK-së, Berisha bëri me dije se ende është i panjohur mirë me vendimet që ka marrë kongresi i demokristianëve për shkarkimin e Nard Ndokës si kryetar partie. I pyetur nëse do të miratojë kërkesën e Nard Ndokës për të larguar dy zv/ministrat Gurakuqi dhe Bushati, Berisha u shpreh se "Kryeministri funksionon mbi bazën e marrëveshjeve, mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazën e apeleve televizive. Imagjinoni nëse unë do të funksionoja mbi bazën e apeleve televizive, do të kisha dhënë dorëheqjen mbi 50 herë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›