Liberalizimi i vizave, Berisha: Do bëjmë detyrat e shtëpisë
Kryeministri Berisha ka thekuar dje se klasa politike shqiptare do të plotësojë të gjitha kërkesat e BE për të përfituar nga liberalizimi i vizave. "Shqipëria do t‘i bëjë të gjitha detyrat e shtëpisë të kërkuara nga BE", tha Berisha. "Me Presidentin Barrozo unë nuk diskutova data, pasi ashtu siç ju e dini, unë nuk jam njeri që fiksoj data dhe përqindje, por jam njeri që synoj të arrij data dhe përqindje. Punoj me shpresë dhe besim se gjërat do të ndodhin para afatit të cilin mendoj unë", tha ai. "Si njeri i fjalës së mbajtur, i premtimeve të mbajtura, përfaqësuesit ndërkombëtar e dinë që të gjitha kërkesat do zbatohen. Ata do të sjellin një dokument me kërkesa, për të cilin më informuan se po e përpunojnë dhe shumë shpejt do t‘ia dërgojnë qeverisë. Ky dokument rreshton kërkesat që duhet të plotësojnë vendet të cilat dëshirojnë të kenë lëvizjen e lirë", theksoi Berisha. Kryeministri bëri me dije se cilido të jetë çmimi i këtyre kërkesave, Shqipëria do t‘i plotësojë. "Shqiptarët presin me padurim të lëvizin të lirë si qytetarë evropianë, ndaj ky është një detyrim madhor i imi", tha ai.