E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten në burg zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes

Të akuzuar për korrupsion, dy zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe administratori i shoqërisë "Geoconsult SHPK" janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Gjatë shqyrtimit të masave të sigurisë, gjykatësi i gatshëm vendosi lënien në burg pa afat për Shkëlzen Madanin, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Kadri Suli, me detyrë komandant i Brigadës Logjistike nr. 4300, pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Ferdinand Hodos. Ndërsa ka kaluar në arrest shtëpie e arrestuara e katërt Aurela Çota, e cila ishte përfaqësuese e shoqërisë "Nitromak Albania SHPK".

Të katër të pandehurit akuzohen për veprat penale të korrupsionit aktiv të personit që ushtron funksione publike, ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim të detyrës. Ata u arrestuan tri ditë më parë, pasi ishin denoncuar nga dy biznesmenë se u kishin kërkuar nga dymijë euro për t‘u dhënë licencë për përdorim të lëndëve plasëse. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes mund të kenë marrë edhe më parë ryshfet për dhënien e licencave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›