E Diel, 1 Nëntor 2026

Sefgjini "ngujohet" në shtëpi, Berisha s‘e shkarkon

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, ka nisur dje të respektojë masën e arrestit shtëpiak. Policia ka konfirmuar se i akuzuari nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprat penale të pengmarrjes dhe torturës me pasojë vdekjen ndodhet në apartamentin e tij. Nga kontrolli i parë i policisë ka rezultuar se numri një i tatimeve ndodhej në shtëpinë e tij. Patrulla e policisë kontrollon dy herë në ditë rreth e rrotull apartamentit të tij për të parë nëse thyhet masa e sigurisë. Mbrojtja e Sefgjinit do të apelojë masën e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për ndryshimin e masës së dhënë prej tij. Zyrtarisht edhe pse nuk ka shkuar të kryejë funksionin e tij si drejtor i Tatimeve, Sefgjini nuk është shkarkuar nga detyra.

Kryeministri Berisha deklaroi dje se nuk do ta shkarkojë atë. "Vendimi i gjykatës nuk është pezullim detyre", është shprehur kreu i qeverisë në konferencën e djeshme për shtyp. Kërkesa ka qenë për pezullim detyre, ndërkohë çështja është ende në shqyrtim. "Ky person ka qenë në arrest shtëpie apo në burg për shumë muaj dhe ka marrë qindarkë për qindarkë dëmshpërblim të plotë për çdo orë e çdo ditë. Sigurisht, ligji është i drejtë që e detyron shtetin të zhdëmtojë në këtë rast, por duhet të jetë edhe për përgjegjësit, të cilët ia krijojnë këtë dëm shtetit", tha Berisha. Për këtë arsye, Kryeministri ka kërkuar që këtë herë organet kompetente të tregohen më të kujdesshme për shkak se dy herë për të njëjtën gjë, sipas Kryeministrit, është e tepërt për të paguar. Sipas Kryeministrit, gjykata në vendimin e saj ka vendosur pranimin e kërkesës për arrestin në shtëpi dhe ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik. Kodi i Procedurës Penale përcakton në nenin 242 se pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik bëhet vetëm me vendim gjykate.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›