E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishen ndërtimet pa leje, policia blindon Velipojën

Mjete të blinduara të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër dhe rreth 50 punonjës policie kanë mbajtur të rrethuar gjithë plazhin e Velipojës dje. Policët kanë qenë në Velipojë për të mbështetur dhe ruajtur fizikisht punonjësit e komunës dhe inspektoratit të ndërtimit, që prej disa ditësh kanë nisur betejën me ndërtimet pa leje. Prishja e shumë ndërtimeve pa leje, të cilat vazhdojnë ende në plazhin e Velipojës, ka bërë që situata atje mes pronarëve të ndërtesave dhe ndërtimorëve të acarohet së tepërmi. Tensioni mes palëve ka nisur të hënën, kur inspektorati i ndërtimit shembi katër pallate në ndërtim të firmës "Fisha". Të hënën, njëri nga pronarët e firmës, së bashku me menaxherin, janë shoqëruar në komisariatin e policisë për të evituar përplasjet mes palëve. Vetëm para pak ditësh kryetari i Komunës Velipojë, Nikollë Marku, paralajmëroi se të gjitha ndërtimet pa leje që ndodhen më pak se 300 larg vijës bregdetare do të prishen. Por mësohet se pronarët e firmës "Fishat", të cilët kishin nisur një investim tepër të madh në plazhin e Velipojës, do të hedhin në gjyq komunën dhe inspektoratin ndërtimor për dëmshpërblim. Sipas drejtuesve të kësaj firme, ndërtimi ishte krejtësisht i rregullt, me leje të dhënë në muajin nëntor të vitit 2007 nga KRTRRSH. Nga ana e saj, Komuna Velipojë pretendon se firma në fjalë ka pasur parregullsi në leje. Muajin e fundit, në plazhin e Velipojës janë prishur rreth 200 ndërtime pa leje, ndërsa në plan janë për t‘u prishur edhe 80 ndërtime të tjera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›