E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, kapen 15 kg heroinë në kufi

Një emigrant nga Korça është kapur dje në tentativë për të kaluar në Greqi një sasi prej 15 kilogramësh lëndë narkotike, që dyshohet të jetë heroinë. Burime zyrtare të Drejtorisë së policisë së Gjirokastrës njoftuan dje se gjatë një kontrolli rutinë të bërë nga policia e pikës kufitare të Tri Urave në Përmet është zbuluar një sasi prej 15 kilogramësh lëndë narkotike fshehur në gomën rezervë dhe disa pjesë të tjera të autoveturës dhe është arrestuar një person që akuzohet si trafikanti i drogës së kapur. Burime të policisë sqaruan për gazetën "Shqip" se rreth orës 13:45 të ditës së djeshme, kontrollorët e policisë në pikën doganore të Tri Urave, gjatë kontrollit të automjetit tip "Toyota", me traga greke YPM3402, fillimisht kanë zbuluar në brendësi të gomës rezervë të këtij automjeti një sasi lënde narkotike, rreth 4 kilogramë. Policët kanë vazhduar kontrollin e mëtejshëm të automjetit dhe kanë zbuluar të fshehur dhe në pjesë të tjera të tij edhe 11 kilogramë lëndë narkotike. Një efektiv i policisë së Përmetit që mori pjesë në kontroll saktësoi se 7 pako ishin gjetur në gomën rezervë, 7 të tjera të fshehura në ndenjësen e pasme të veturës, ndërsa 16 pako me drogë ishin futur në një dhomëz të fshehtë të krijuar në prapakolpin e makinës. Drejtuesi i autoveturës, 32-vjeçari Adrian Rexhepi nga Korça, është ndaluar në mjediset e policisë kufitare të Tri Urave dhe më pas është arrestuar dhe dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Përmetit. Burime të policisë kufitare të Tri Urave bënë të ditur se zbulimi i kësaj sasie është bërë krejt rastësisht, pasi kontrollorët kanë dyshuar vetëm sepse personi i arrestuar kalonte për herë të parë nga kjo pikë kalimi. Një polic tha se 32-vjeçari kishte dokumente të rregullta për qëndrim në Greqi dhe kishte lëvizur me dhjetëra herë nga një anë e kufirit në tjetrën. Por, nga dhjetëra vulave në pasaportën e Ardian Rexhepit, asnjëra nuk ishte e pikës doganore të Tri Urave. Pasi kanë mësuar se 32-vjeçari ishte me banim në Korçë, policët e kanë parë të dyshimtë faktin që ai kishte zgjedhur të kalonte nga Përmeti për të shkuar në Athinë. Për këtë ata kanë ushtruar një kontroll më të hollësishëm se ai i zakonshmi dhe intuita nuk i ka gënjyer. Pas përfundimit të kontrollit të hollësishëm, policia ka peshuar dhe ka sekuestruar sasinë prej 15 kg lëndë narkotike të ambalazhuar në pako hermetike me peshë 500 gramë secila. Deri në orën 18:00 të ditës së djeshme policia nuk bëri të ditur llojin e drogës, duke sqaruar se do të priteshin ekspertët e drogës nga Tirana për të bërë verifikimin dhe përcaktimin e saj. Megjithatë dyshohet se bëhet fjalë për heroinë. Me vlerën e provës materiale është sekuestruar edhe autovetura me të cilën i arrestuari Adrian Rexhepi nga Korça është munduar të realizojë trafikimin e kësaj lënde narkotike. Rreth orës 18:30, në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë nga Tirana një helikopter që solli në pikën kufitare një ekspert të Antidrogës dhe një prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›