E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Kongresi, jo legjitim. Shihemi më 8 maj

Nën siglën dhe të gjitha simbolet e PDK-së, kongresi i jashtëzakonshëm i demokristianëve shkarkon Nard Ndokën si kryetar partie. Nga ana tjetër, Ndoka e konsideron vendimin e djeshëm si farsë dhe fton simpatizantët e PDK-së t‘i bashkohen atij në kongresin legjitim të datës 8 maj. Dy kongrese, me të njëjtën sigël dhe simbole partie, kanë përshtjelluar kaosin brenda demokristianëve mbi faktin se cili do të jetë kryetari legjitim i PDK-së. Vendimi i djeshëm shkarkon Ndokën për të emëruar Anton Gurakuqin në krye të partisë, ndërkohë që një mbledhje tjetër pas dy ditësh pritet të marrë një tjetër vendim. Në të vërtetë, edhe vetë demokristianët janë krejtësisht të paqartë mbi atë çka po ndodh nën siglën e partisë që ata vetë përfaqësojnë. Pas përfundimit të kongresit të PDK-së, të drejtuar nga kundërshtarët e Nard Ndokës, vetë ministri i Shëndetësisë u është përgjigjur akuzave që janë bërë në adresë të tij dhe ka injoruar rezultatin e kongresit të jashtëzakonshëm që u mbajt nën siglën e PDK. "Ishte një kongres farsë me vetëm 17 delegatë të ligjshëm.

Mbledhja legjitime e demokristianëve do të bëhet më 8 maj", tha ai. Ndoka e ka cilësuar si fundin e një farse teatrale sulmin që kanë ndërtuar ndaj tij dy zv/ministrat e kabinetit qeveritar.

Vlen të theksohet se kaosin e PDK-së nuk po arrin dot ta zgjidhë as Kryeministri Berisha, i cili duket se po pranon të njohë dy kampe rivale brenda një partie. Në qeverinë "Berisha" vazhdon të jetë ministër Nard Ndoka dhe zv/ministra, Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati. "I ashtuquajturi Kongres i PDK ishte konkluzioni i asaj farse teatrale të luajtur për disa ditë me radhë nga një aktor i dështuar dhe një person që vuan nga deliri i madhështisë", tha Ndoka. "Kjo panoramë bën të qartë përfundimisht misionin e dështuar të këtyre aventurierëve, të cilët në realitet të vetmin qëllim kishin shkatërrimin e PDK", vijoi ai. Ndërkohë, drejtuesit e Partisë Demokristiane, kryesia dhe grupi parlamentar i saj, i ftojnë të 17 delegatët të reflektojnë dhe të jenë të pranishëm në kongresin legjitim të PDK. Ajo që u vu re në mbledhjen e djeshme, ishte fakti se në sallë ishin të pranishëm edhe punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë kundër drejtimit të Partisë Demokristiane nga Nard Ndoka.

Megjithëse në njoftimin për shtyp të dërguar nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, theksohej se PDK ju bën të qartë të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të saj se nuk do të lejojë asnjë person të nëpërkëmbë Partinë Demokristiane dhe alternativën e saj në Shqipëri, deri tani nuk është bërë asnjë hap konkret për të parandaluar gjë. Në fund të fjalës së tij, Ndoka ka shtuar se "ftojmë Anton Gurakuqin dhe disa individë të tjerë rreth tij të ulen me këmbë në tokë e të mos vijojnë më tej të keqpërdoren".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›