Ndreca në polici, pas deklarimeve në Panorama

Gjergj Ndreca
TIRANE- Ish i përndjekuri politik, Gjergj Ndreca, protagonist në media ditët e fundit për shkakt të përplasjes së tij fizike me deputetë të maxhorancës, është shoqëruar sërish sot në polici. Ndreca është mbajtur për disa kohë në ambientet e Komisariatit Nr.1 në kryeqytet, ndërsa pas daljes, ai deklaroi se ndër të tjera u pyet edhe për deklarimet e ditës së sotme në gazetën Panorama, ku kërcënonte se të enjten që vjen, në seancën e rradhës parlamentare, ai do të qëllonte një tjetër ministër të kabinetit Berisha.
Në intervistën dhënë sot për gazetën Panorama, Ndreca shpjegon,…shteti, qeveria, ka bërë një llogari dhelparake me ne. Na gënjejnë nga viti në vit, duke e kuptuar që ne jemi specie në zhdukje. U dukemi si dinozaurë. Presin që edhe këta 100 veta që kemi mbetur, të vdesim të gjithë.
Më tej ai shprehet se edhe pse kanë mbetur pak ish të burgosur politikë, këtej e tutje do tua tregojmë vendin të gjithë politikanëve që na kanë gënjyer paturpësisht për 20 vjet me radhë. Do ti rrahim të gjithë deputetët. Radha është e gjatë, aq dru sa ka pylli, duke shtuar se, të enjten që vjen e ka rradhën një tjetër ministër.
Lidhur me shoqërimin e sotëm, Komisariati NR.1 ka sqaruar se shoqërimi i Ndrecës ka ardhur në në bazë të vendimit të gjykatës, e cila ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për dhunën e ushtruar ndaj deputetit Ilir Rusmajli dhe avokatit Agim Tirana si dhe nisje të procedimit penal në gjendje të lirë me akuzën fyerje e kanosje për shkak të detyrës të zyrtarëve të lartë shtetërorë, për rastin e ministrit të Financave Ridvan Bode.