E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS bllokon për të ardhur në pushtet. Rama: Po dështojmë sepse ka dështuar qeveria

Kryesocialisti Rama ka reaguar në Tuiter pas deklaratave të kryeministrit Berisha, i cili e akuzon atë për bllokim të reformave. Në postimin e tij në rrjetin social të preferuar, Rama e ka cilësuar deklaratën e Berishës si shpifjen e ditës, ndërsa thekson se Kodi Penal u votua dhe PS-ja dha kontributin kryesor në ndryshimet e tij.

Kryeministri s’ka asgjë tjetër për të thënë për dështimin me statusin, perveçse të shpifi përditë duke akuzuar opozitën. PS ka votuar çdo ligj me 3/5!, thotë Rama.

Sipas tij, Shqipëria po dështon për të tretën herë me statusin e vendit kandidat sepse vetë qeveria dhe politikat e saj kanë dështuar. Pse Shqipëria po dështon prapë me statusin? E thjeshtë: Sepse kryeministri ka dështuar, qeveria ka dështuar, politikat e tyre kanë dështuar.

Ky dështim nuk mbulohet me baltën e shpifjeve dhe nuk justifikohet kurrsesi duke hedhur fajin mbi opozitën! Këtë turp le ta mbajë qeveria. Askush të mos harroje se për pjesën që i takon opozitës përgëzimet e BE-së janë publike dhe këto lidhen edhe me procesin e ligjeve me 3/5, shprehet Rama në Tuiter.

Berisha: Rama përdor bllokimin si të vetmen mënyrë për të ardhur në pushtet

Kryeministri Berisha ka hedhur akuzat e radhës ndaj kreut të opozitës, duke u shprehur se po përdor praktikën e bllokimit, si të vetmen rrugë që ka për të ardhur në pushtet. Duke folur në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se në ditën kur në Bruksel zhvillohej samiti i PPE-së, Rama qëllimisht urdhëroi deputetët e PS-së në Komisionin e Ligjeve të mos votonin Kodin Penal.

Ditën kur pasi ishte bërë dy muaj punë serioze në Komisionin e Ligjeve për kodin penal pasi ishin bërë një seri amendamendesh serioze në këtë paketë, në mbledhjen e grupit Rama urdhëron që të mos votohet paketa dhe për të mbuluar këtë vendim paraprak sollën amendamentet absurde të fajit kolektiv. Dhe e bëri këtë për të justifikuar shkeljet e mëdha që kanë bërë në të shkuarën në Kushtetutë për fajin kolektiv, kërkon ti imponojë kësaj mazhorance gjë që nuk mund ta pranojë asnjë njeri i lirë në tokë, tha Berisha.

Kryeministri komentoi edhe strategjinë e Partisë Socialiste për të përndjekurit politikë, të cilën e cilësoi fyese për këtë shtresë të shoqërisë.

Të marrësh njerëz që kanë vuajtur gjithë jetës dhe ti vendosësh para Gramoz Ruçit dhe miliarderes Keti Bazhdari, kjo është fyese. Mendoj që çdo parti politike ka të drejtë të ndërtojë platformën e vet, por jo mbi bazën e falsifikimit. Rama vendosi krah tyre ministrin e fundit të torturës. Atë kishte zgjedhur për tua dhënë mesazhin, tha ai.  / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›